Partia ia besuan edhe njëherë kandidimin për kryetar.
Kjo pasi që me të besojnë se do ta fitojnë prapë komunën e Drenasit.
Bëhet fjalë për kandidatin për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci.
E, ky në një prononcim për FrontOnline, thotë se beson fuqishëm se do ta fitojë përsëri Drenasin në zgjedhjet e 17 tetorit.
Deklaron kështu, pasi që thotë se këtë po ia thonë edhe qytetarët e Komunës së Drenasit.
“Po, do të jem kryetar edhe një mandat. Kështu është vullneti i shumicës së qytetarëve. Këtë ma ka besuar PDK, këtë ma thonë qytetarët pa dallim partie, ata që jetojnë e punojnë në komunën tonë. Ky besim vjen për shkak se kam punuar dhe ata e duan punën. Mandati është i lidhur me të arriturat e komunës”, ka deklaruar Lladrovci.
Beson në punën që ka bërë në këtë komunë, duke pohuar se se për këtë janë vlerësuar edhe si komuna me performancën më të mirë.
“Performanca jonë është vlerësuar dhe shumica absolute e qytetarëve janë krenar me vendin e parë. Kjo nuk pritet t’ju pëlqej keqbërësve, por në krye të komunës jam për qytetarët. Vendi i parë solli edhe të mirat financiare për qytetarët, andaj, do të vazhdojmë të jemi kampion në nivel nacional, me performancën më të mirë. Drenasi e meriton të jetë komuna më e mirë sepse i ka qytetarët më të mirë, administratë dhe zbatues të përkushtuar të ligjit”, është shprehur kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci.
I pyetur se i frikohet ndonjërit prej kandidatëve, Lladrovci ka dhënë përgjigje të shkurtë.
“Jo”, ka qenë përgjigja e tij e vetme.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor, ndërsa dita e fundit për të dorëzuar në Komisionin Qendro të Zgjedhjeve emrat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe asamblistë ka përfunduar më 16 gusht.