Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka konfirmuar kandidimin edhe për një mandat. Ramosaj foli edhe për ndërtimin e rrugës Deçan- Plavë, duke shtuar se mungon financimi nga ana e Qeverisë.
“Për rrugën Deçan-Plavë ne kemi bërë një marrëveshje në tetor të vitit të kaluar. Kjo marrëveshje pritet vetëm të zbatohet duke u bërë financimi i saj. Për momentin nuk e kemi të buxhetume këtë pjesë të rrugës që bëhet fjalë për 5 kilometra që është në zonën e Deçanit dhe është obligim i Qeverisë së Kosovës që ta financojë këtë rrugë përkundër përpjekjeve tona si komunë ende nuk kemi mundur të sigurojmë buxhet për këtë pjesë të rrugës”, tha ai.
Ai ka thënë se projektet e komunës së Deçanit janë të shumta, e që kanë të bëjnë me Infrastrukturë, Arsim, Shëndetësi e Kulturë.
“Projektet e komunës së Deçanit janë të shumta. Një pjesë e këtyre projekteve janë natyrë të infrastrukturës, një pjesë janë të sektorit të arsimit, të shëndetësisë, kulturës dhe një pjesë e projekteve kanë tepër të rëndësishme sepse e standardizojnë jetën e qytetarit. Pastaj janë trajtimi i lumenjve, përroskave që të mos krijojnë vërshime në toka bujqësore”, u shpreh Ramosaj për EkonomiaOnline.
Ramosaj tha se do të kandidojë për kryetar të komunës së Deçanit duke shpresuar se do ta fitojë prapë besimin e qytetarëve.
“Tashmë është marrë vendim nga strukturat e partisë që unë do të jem kandidat për kryetar të komunës së Deçanit. Mbetet të shihet mirëpo unë jam munduar t’i trajtojë mirë njerëzit në këtë qytet dhe kam realizuar projekte të rëndësishme për këtë qytet dhe qytetarët dhe po besoj që kam ndërgjegjen e pastër për të kërkuar mbështetjen e tyre edhe një herë”, tha ai. /Gazeta Enigma/