Raporti i DASH për transparencën fiskale: Shqipëria përmbush vetëm kërkesat minimale

Raporti i DASH për transparencën fiskale: Shqipëria përmbush vetëm kërkesat minimale

“Shqipëria përmbush kërkesat minimale në lidhje me transparencën fiskale për vitin 2021”. Kështu thuhet në raporton e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sipas raportit Shqipëria rendit në mes të 74 vendeve që kanë plotësuar këto kërkesa minimale.

“Departamenti arriti në përfundimin se, nga 141 qeveri të vlerësuara, 74 plotësonin kërkesat minimale të transparencës fiskale. Dy qeveri, Nigeria dhe Gambia, plotësuan kërkesat minimale në 2021 pasi nuk plotësuan këto kërkesa në vitin 2020. Gjashtëdhjetë e shtatë qeveri nuk i plotësuan kërkesat minimale të transparencës fiskale. Megjithatë, nga këto 67, 17 qeveri kanë bërë përparim të dukshëm drejt përmbushjes së kërkesave minimale të transparencës fiskale”, thuhet ndër të tjera në konkluzionet e raportit.

Sipas DASH, mungesa e transparencës fiskale mund të jetë një faktor mundësues për korrupsionin.

“Një qeveri që nuk përmbush kërkesat minimale të transparencës fiskale nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka korrupsion të konsiderueshëm në qeveri. Në mënyrë të ngjashme, gjetja se një qeveri “përmbush kërkesat minimale të transparencës fiskale” nuk pasqyron domosdoshmërisht një nivel të ulët korrupsioni”, thuhet më tej në raport.

TRANSPARENCA FISKALE
Transparenca fiskale informon qytetarët se si shpenzohen të ardhurat e qeverisë dhe të ardhurat nga taksat. Ky është një element kritik i menaxhimit efektiv të financave publike. Transparenca u siguron qytetarëve një dritare në buxhetet qeveritare dhe ndihmon që qeveritë të japin llogari. Ndihmon në ndërtimin e besimit dhe qëndrueshmërisë së tregut. Raporti i Transparencës Fiskale i mandatuar nga Kongresi është një mjet për të identifikuar mangësitë dhe për të mbështetur ndryshimet e nevojshme.

SI BËHET VLERESIMI
Gjatë kryerjes së rishikimit 2021, Departamenti vlerësoi transparencën fiskale të qeverive gjatë periudhës së rishikimit nga 1 janar deri ne 31 dhjetor 2020.

Departamenti shqyrtoi informacionin nga ambasadat dhe konsullatat amerikane, agjencitë e tjera qeveritare të SH.B.A., organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile.

Misionet diplomatike amerikane u konsultuan me zyrtarë të qeverisë së huaj, organizata ndërkombëtare dhe organizata të shoqërisë civile për të marrë informacion për këto vlerësime.

Related Articles