Vonesa në ekzekutimin e pagesave po raportohen nga qytetarë dhe bizneset që janë pjesë e platformës ‘Superpuna’, shkruan Gazeta Enigma.
Në adresë të Gazetës Enigma kanë ardhur disa ankesa nga biznese, që potencojnë se pagesat i kanë pranuar me vonesë e këtë muaj nuk kanë dalur akoma, dhe që vonesat e tilla nuk kanë ndodhur për herë të parë por vazhdimisht.
“Vazhdimisht kemi pasur probleme me marrjen e pagës e cila është e destinuar për puntorët që janë punësuar përmes “Superpunës”, thotë pronari i një biznesi në Gjilan, teksa shton se pagesat për muajin qershor ende nuk janë ekzekutuar.
Përpos bizneseve, disa herë ka pasur ankesa nga qytetarët, të cilët theksojnë nuk po i marrin pagat nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), përmes kësaj platforme.
E për të sqaruar problemin, Gazeta Enigma ka kontaktuar me zyrën për Informim të platformës së “superpunes”.
Ata konfirmuan se mund të ketë vonesa, por vetëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale si verifikimi nga ATK dhe institucioneve të tjera.
“Vonesat në pagesat ndaj bizneseve që kanë të punësuar përmes kësaj platforme shpesh ndodhin për aryse të natyrës administrative dhe procedurale të verifikimit të të dhënave nga palët e përfshira. Kjo përfshin : Verifikimin nga ATK dhe institucione të tjera shtetërore, nëse punësimi dhe raportimet janë në përputhje me kriteret e programit”, thuhet në përgjigjen e Superpunës për Enigmën.
“Saktësia e të dhënave të raportuara nga bizneset dhe punëtorët, të cilat në disa raste kërkojnë rishikim apo plotësim të dokumentacionit; procesin e shqyrtimit të aplikimeve dhe miratimeve ligjore, i cili ndonjëherë zgjatet për shkak të ngarkesës së rasteve dhe nevojës për kontroll të detajuar”.
Përkundër vonesave eventuale, nga ‘Superpuna’ kanë theksuar se pagesat ekzekutohen brenda afateve të përcaktuara. Megjithatë, ju sigurojmë se çdo rast i pranuar dhe i aprovuar në sistem, egzekutohet në përputhje me rregullat dhe afatet e përcaktuara nga programi. Ne jemi vazhdimisht duke punuar për ta përmisuar këtë proces dhe për të siguruar që pagesat të realizohen me kohë. Çdo parregullsi ose vonesë, sa herë që konstatohet, shqyrtohet dhe trajtohet me prioritet”, theksohet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë deri në mars të vitit 2024, afërsisht 9,400 persona kanë përfituar nga platforma qeveritare “Superpuna”. “Superpuna” u hap në vitin 2023 dhe subvencionon punëdhënësit duke mbuluar pagat e punonjësve për gjashtë muaj me 264 euro në muaj.
Punëdhënësit mund të zgjedhin të rrisin këtë pagë dhe/ose të mbajnë punonjësin duke nënshkruar kontratë të re, ose ta largojnë pas periudhës së subvencionit.
Deri në mars, kontratat me kompani private të rreth 33 për qind të përfituesve të platformës Superpuna, u shndërruan në kontrata të rregullta. / Gazeta Enigma.