Në media po qarkullon lajmi se Dogana e Kosovës ka vendosur të zbres për -25% të vlerës së katalogut për automjetet nga Korea, raporton Gazeta Enigma.
Teksa shumë autosallone po e publikojnë këtë njoftim, nga Dogana e Kosovës në një përgjigje për Enigmën kanë theksuar se në bazë të analizave të tregut të automjeteve nga Koreja e Jugut, “Dogana ka vërejtur një mospërputhje të theksuar ndërmjet çmimeve të deklaruara për qëllime importi në Kosovë dhe atyre të automjeteve të ngjashme që importohen nga pjesë të tjera të botës, veçanërisht nga Evropa”.
Sipas tyre “Duhet theksuar se kjo analizë është motivuar gjithashtu edhe nga një praktikë e përsëritur e vendimeve të nxjerra në favor të importuesve, si nga Gjykata komerciale, ashtu edhe nga Bordi i Pavarur i Ankesave, të cilat kanë pranuar vlerën e deklaruar nga importuesi përmes metodës së parë të vlerësimit, edhe në raste kur ajo vlerë ka qenë nën nivelin e çmimeve të katalogut qe perdoret aktualisht per veturat nga tregu i Evropës”.
Për ta sqaruar vendimin e tyre nga Dogana kanë theksuar për Gazetën Enigma se “vetëm në rastet kur Dogana konteston vlerën e deklaruar të një automjeti, pa anashkaluar metodat e tjera të përcaktuara, vlerësimi si praktikë bëhet përmes metodës së gjashtë, duke u mbështetur në dosjen e vlerave dhe katalogun elektronik per vleresim te automjeteve, i cili eshte zyrtarizuar dhe jemi te abonuar zyrtarisht përmes prokurimit publik te kontraktimit”.
Andaj, me qëllim të veprimit të drejtë përmes zbatimit të drejtë të rivlerësimit, Dogana ka lëshuar një udhëzim të brendshëm për strukturat përkatëse që merren me vlerësimin e automjeteve.
“Krejt kjo me qëllim që të evitohen mjete juridike në kontestimin e vlerës tani me arsyetime të mbështeutra në vendime të gjykatës dhe bordit të pavarur rrjedhimisht”.
Sipas Doganës ky udhëzim parasheh që, në situata të caktuara kur rrethanat objektive dhe dokumentacioni i vlefshëm e lejojnë, të përdoret metoda e vlerësimit me të dhënat e disponueshme, duke harmonizuar çmimet e automjeteve nga Koreja me ato të katalogut të tregut evropian përmes një devijimi të pranuar të vlerës, e cila njeh karakteristikat e tregut dhe bazohet në një analizë të mirëfilltë të profesionistëve të Doganës së Kosovës.
“Si rrjedhojë, me këtë praktikë ne synojmë të përmirësojmë zbatimin e drejtë të vlerësimit që është edhe e drejtë e secilit qytetar dhe efektivisht të shmangim ngarkesën e pa nevojshme të nivelit adminsitrativ dhe instancës gjyqësore, por gjithashtu të krusejmë kostot e qytetarit për të kontestuar vendimet e bazuara në katalogun që nuk ka në konsdieratë specifikat e veqnata të tregut”, theksohet në përgjigjen e tyre.
Mes tjerash nga Dogana e Kosovës kanë theksuar se çështja e importit nga Koreja e Jugut dhe rrjedhimisht rritja e ankesave është regjistruar vetëm gjatë vitit të kaluar dhe vijon edhe tani. /Gazeta Enigma