Raportohet se është suspenduar një mësues në Vushtrri mbi dyshimin se i njëjti ka ngacmuar seksualisht një nxënëse në klasën e gjashtë.
Sinjali raporton se mësimdhënësi që po hetohet se ka ngacmuar seksualisht nxënësen e klasës së 6-të është Faik Kadriu.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha pse është pranuar kallëzim penal për personin me inicialet F.K për “Ngacmim seksual”
Preteni shtoi se më 20 dhjetor, ndaj mësimdhënësit është ngritur aktakuzë për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Ngacmimi Seksual”.
“Lidhur me kërkesën tuaj njoftoheni se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar kallëzimin penal ndaj personit me iniciale F.K., për veprën penale “Ngacmimi seksual”. Rasti është trajtuar, janë zhvilluar hetimet kundër të dyshuarit, dhe pas hetimeve me datë 20 dhjetor 2022 kundër të pandehurit është ngritur aktakuzë në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Ngacmimi Seksual””, tha Preteni.
Për rastin ka folur kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi i cili ka thënë se i dyshuari ishte mësimdhënës i shkollës fillore të mesme të ulët “Andon Zako Çajupi”.
Ai tha se do të ketë zero tolerancë për këdo që shkel ligjin.
Ndërsa Jeton Salihu nga komisioni disiplinor i Komunës së Vushtrrisë, ka folur për suspendimin e mësimdhënësit i cili dyshohet ta ketë ngacmuar seksualisht një nxënëse.
Salihu tha se rasti është raportuar nga nxënëset e shkollës fillore të mesme të ulët “Andon Zako Çajupi”.
“Sipas ligjit në fuqi ne e kemi suspenduar me 50 për qind të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij”, ka thënë Salihu.
Ai ka shtuar se mësimdhënësi edhe pas raportimit të këtij rasti ka qenë duke punuar sepse nuk ka pasur ndonjë masë nga prokuroria që mos të punojë.
“Mësimdhënësi ka qenë duke punuar sepse ne nuk kemi mundur të reagojmë deri sa jemi njoftuar nga prokuroria se cilat veprime janë marrë dhe me të pranuar shkresën se është ngritur aktakuza kemi reaguar”, është shprehur tutje Salihu.