Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe dje në një familje në fshatin Prekolluk në Deçan, ku një i ri dyshohet se ka rrahur motrën e tij me probleme mendore.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për një 36-vjeçar, i cili përveç se ushtroi dhunë psikike ndaj viktimës, dyshohet se edhe e ka sulmuar fizikisht, duke iu shkaktuar lëndime, por edhe frikë të madhe.
Posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i njëjti të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.