Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në familjen Gashi në rrugën “Marie Shkllaku” në Prishtinë, ku një burrë i moshës 57-vjeçare është gjetur pa shenja jete. Policia tashmë ka nisur hetimet për vdekjen e tij, ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Rexhep Gashin, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se 57-vjeçari ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e nënës të së ndjerit, e cila ka deklaruar se e ka gjetur të birin të shtrirë në oborrin e shtëpisë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.