Ndërprerja e energjisë elektrike në Pallatin e Drejtësisë, ka bërë që të ndërpritet për pak minuta seanca gjyqësore në rastin Ukë Rugova etj.
Pas rikthimit të energjisë elektrike në sallë, gjykatësja Fatime Dermaku tha se procesverbali i asaj çka kishte ndodhur në seancë deri në momentin e ndërprerjes së energjisë elektrike nuk është ruajtur.
Për këtë arsye, gjykata kërkoi ndihmën e monitoruesve në sallë që të konstatohet në proces ajo çfarë kishte deklaruar deri në momentin e ndërprerjes së rrymës, dëshmitari Fatos Mehmeti.
Pas kësaj, gjykatësja kërkoi nga dëshmitari të konfirmojë nëse ajo çfarë po konstatohet në procesverbal është ajo çka ka thënë më herët gjatë dëshmisë së tij. Po ashtu, edhe prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka vazhduar t’ia ri-parashtrojë dëshmitarit pyetjet që i kishte bërë më herët gjatë seancës.Reklamë
Ndryshe, përveç dëshmitarit Mehmeti në këtë seancë pritet të dëshmojë edhe dëshmitari Arben Hajdini.
Kjo lëndë ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica, mirëpo pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, lënda tanimë gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.