Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas sulmeve ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu i Mitrovicës, pas tensionimit të situatës atje.
Në reagimin e AGK-së thuhet se janë sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.
Po ashtu, AGK ka bërë me dije se në Leposaviq sulmuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë.
“AGK-ja shpreh shqetësim për ambientin e rëndë dhe të pasigurt të punës për gazetarët gjatë ditës së sotme në komunat veriore të Kosovës. Sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë”, ka bërë të ditur AGK.
Po ashtu, AGK ka njoftuar se janë sulmuar edhe gazetarët e portalit “Kossev”.
“Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni”, thuhet në reagim.
AGK ka ftuar policinë të ofrojë siguri për gazetarët.
“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”, deklaron AGK.
Ndryshe, gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri, gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje, janë sulmuar nga qytetarët.
Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, raporton se në drejtim të tyre janë hedhur tri bomba dore.
Se janë përdorur mjete të tilla ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
Sipas Policisë, qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.
“Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, reagime ka pasur edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar ndaj zyrtarëve policorë, inspektorëve e gazetarëve nga qytetarët serbë në veri të Mitrovicës.
Reagimi i plotë:
Sipas informatave të KMDLNj-së, Qendra Rajonale në Mitrovicë më 13.10.2021 nga ora 9:00 deri 10:10, ekstremistë serbë të Veriut të Mitrovicës lëshuan alarmin për grumbullim të qytetarëve për të kundërshtuar askionin e Inspektorve që kontrollonin barnatoret ku dyshohej se zhvillohej kontrabanda me barna. Inspektorët ishin të shoqëruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët u sulmuan nga grupe të organizuara të ekstremistve të cilët mobilizojnë masat për të kundërshtuar zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Për t’i frikësuar inspektoret që e kryenin punën në përputhje me autorizimet, ekstremistet serbë shtinë disa herë me armë zjarri, i vunë flakën një veture të policisë dhe u dëmtuan edhe tri automjete të policisë sikur që një tjetër veturë e rrokullisen.
Të shtëna me armë zjarri pati edhe në orën 10:27. Sipas informatave të KMDLNj -së deri në momentin e raportimit dihet se ka disa policë të lënduar si dhe një qytetar serb i plagosur mne armë zjarri.
Ka të arrestuar por se nuk dihet numri i tyre.. Po këta ekstremistë në drejtim të Policisë së Kosovës hodhen gaz lotësjellës.
KMDLNj e dënon këtë përshkallzim të dhunës që u shkaktua nga ekstremistet serbë dhe kërkon nga Policia e Kosovës të veprojë ,
pa asnjë kompromis kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar , në përputhje me ligjin! Në bazë të filmimeve të medieve elektronike, organet e hetuesisë mund dhe duhet të ndërmarrin veprime kundër të gjithë atyre që po veprojnë në kundërshtim me ligjin në mënyrë që situata të kthehet në normalitet dhe inspektoret të veprojnë pa u penguar nga askush me qëllim të luftimit të kontrabandës , krimit të organizuar dhe ekonomisë informale.
KMDLNj e dënon edhe sulmin ndaj gazeatrëve të T7 dhe gazetarëve të tjerë duke kërkuar që t’iu sigurohet një ambient i qetë dhe kushte për kryrje të punëve të tyre; informimin e opinionit për zhvillimin e ngjarjeve në atë pjesë të Kosovës.
/Gazeta Enigma/