Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICC) është e shqetësuar rreth eskalimit të dhunës në Bregun Perëndimor dhe për mundësinë që atje të jenë duke u kryer krime lufte, tha të mërkurën kryeprokurorja e kësaj gjykate, Fatou Bensouda.
“E vërej me shqetësim të madh eskalimin e dhunës në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, Gazën dhe zonën përreth dhe kryerjen e mundshme të krimeve sipas Statutit të Romës”, shkroi Bensouda në Twitter.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në mars njoftoi për fillimin e hetimeve zyrtare për krimet e mundshme të luftës, të kryera në Territoret Palestineze, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Bensouda, e cila në mesin e qershorit të këtij viti do të zëvendësohet nga prokurori britanik, Karim Khan, në dhjetor të vitit 2019 kishte deklaruar se krimet e luftës janë kryer ose ishin duke u kryer në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Ajo i kishte përmendur Forcat Izraelite të Mbrojtjes dhe grupet e armatosura palestineze si Hamasi si përgjegjës të mundshëm për këto krime.
“Zyra ime do të vazhdojë t’i vëzhgojë zhvillimet në terren dhe do të faktorizojë secilën çështje që është brenda juridiksionit të saj”, shtoi prokurorja Bensouda të mërkurën.
E themeluar nga Statuti i Romës në vitin 2002, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është adresa e fundit për ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, kur një shtet i caktuar nuk ka mundësi ose vullnet për të bërë një gjë të tillë.
Hetimet e kësaj gjykate për krime të mundshme të luftës në Territoret Palestineze janë kundërshtuar fuqishëm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara me arsyetimin se GjND-ja nuk ka juridiksion për t’i zhvilluar hetimet rreth kësaj çështjeje.