Flasin nga BE-ja për Gazetën Enigma për sulmin me armë ndaj alpinistëve në veri

Flasin nga BE-ja për Gazetën Enigma për sulmin me armë ndaj alpinistëve në veri

“Bashkimi Evropian dënon çdo akt të dhunës”, tha Tajla Kurpejovic, zyrtare e komunikimit në Bashkimin Evropian për Gazetën Enigma, kur është pyetur për sulmin me armë ndaj alpinistëve kosovarë në Zubin Potok të dielën, raporton Gazeta “Enigma”.

“Incidenti që ju i jeni referuar aktualisht është nën hetim nga Policia e Kosovës. Ne inkurajojmë autoritetet përkatëse në nivelin qendror dhe lokal të punojnë në drejtim të garantimit të lirisë së lëvizjes, dhe sigurinë dhe sigurinë e të gjithëve që banojnë në Kosovë”, ka shtuar Kurpejovic.

Ndërkohë organizatori i alpinistëve, Adnan Beqiraj, pati rrëfyer për Gazetën “Enigma” se “ishte duke e udhëhequr ekspeditën kur pa një person me kallash teksa filloi gjuajtjet me plumba.

“Kemi filluar si zakonisht ecjen që nga Liqeni i Ujmanit, kemi qenë diku 58 persona, kemi filluar ecjen në një fshat aty afër, jemi ulur pastaj me pushu, dhe prej aty synimi i jonë ka qenë që të shkojmë deri tek lokacioni “Shijak i Bubës”, dhe pas kësaj kemi filluar prapë ecjen në shteg malor”.

“Unë kam qenë një ndër të parët dhe e kam parë dhe shumë afër e kam dëgjuar një plumb që ka kërcitur dhe kam parë një njeri, i cili ka qenë me kallash, unë jam kthyer jam ulur dhe aty kanë vazhduar krismat pa ndalur, nuk e di nëse e kanë pasur për të na sulmuar neve, ose për të na frikësuar, por kështu ka ndodhur”, theksoi tutje ai.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “raste të tilla janë sinjal se sundimi i ligjit dhe siguria në komunat veriore të Kosovës, nuk janë në nivelin e duhur”.

Ai ka kërkuar po ashtu nga Policia e Kosovës sa më shpejt të japin rezultate konkrete për të përmirësuar situatën në veri.

“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synimi kryesor i yni. Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato”, ka shkruar Sveçla

Megjithatë ende nuk është arrestuar asnjë person si i dyshuar për shkrepjen e armës ndaj alpinistëve, por janë intervistuar disa persona ka bërë të ditur Policia e Kosovë. /Gazeta Enigma

Related Articles