Asamblistët e dy kuvendeve komunale në veri të Kosovës, Leposaviqi dhe Zubin Potoku sot kanë votuar që të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Në lidhje me këtë kanë reaguar nga Lista serbe, të cilët përmes një postimi në rrjetin social në Facebook kanë thënë se vendimi i tillë vazhdon të eskalojë situatën në terren me qëllim thellimin e krizës dhe shkaktimin e tensioneve në Kosovë.
“Vendimi i sotëm i këshilltarëve ilegal dhe jolegjitim të Kurtit në komunat Leposaviqit dhe Zubin Potokut për njëfarë anëtarësimi në Asociacionin e Komunave të Kosovës vazhdon të eskalojë situatën në terren me qëllim thellimin e krizës dhe shkaktimin e tensioneve në Kosovë, përkundër kërkesave të popullit serb, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Ata po ashtu përmes reagimit kanë thënë se ky vendim nuk është marrë në interes të qytetarëve të Leposaviqit dhe Zubini Potokut dhe konsiderohet i padobishëm nga të gjithë qytetarët.
“Kujtojmë edhe njëherë, serbët dhe qytetarët tjerë në komunat serbe, janë ekskluzivisht të interesuar për formimin dhe anëtarësimin në Bashkësinë e Komunave Serbe, e cila supozohet të jetë organizatë kulmi për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve dhe komuniteteve tjera, e jo të Kurtit lojërat e fatit dhe lojërat që synojnë të vazhdojnë përshkallëzimin, persekutimin e serbëve dhe konfliktin”, kanë thënë nga Lista serbe.