Real Madridi ka triumfuar në finale të Superkupës së Spanjës duke mposhtur rivalët e përjetshëm, Barcelonën, me rezultat 4:1.
“Los Blancos” ishin superior ndaj blaugranëve, teksa në këtë ndeshje shkëlqeu sulmuesi brazilian, Vinicius Junior.
Vini realizoi ‘hat-trick’ në 38 minuta lojë. Fillimisht ai realizoi në minutën e shtatë. Golin e dytë e realizoi pas tre minutave, ndërkaq tregolshëshin e arriti në minutën e 38-të.
Për Barcelonën golin e nderit e shënoi Robert Lewandowski, por blaugranët nuk arritën të lënë më shumë gjurmë në këtë ndeshje.
Rezultatin e vulosi Rodrygo duke shënuar golin e katërt në minutën e 68-të.
Ky është trofeu i 13-të i Superkupës së Spanjës për Real Madridin, teksa Barcelona kryeson listën me 14 sosh.