Real Madrid, Juventus dhe Barcelona janë bërë bashkë dhe zyrtarisht kanë reaguar për kërcënimet nga UEFA, ndërsa kanë shtuar se nuk do të largohen nga Superliga. UEFA dje ka pranuar rikthimin e nëntë klubeve që ishin themeluese, duke iu dhënë edhe dënime. Sot klubet si Real Madrid, Juventus dhe Barcelona kanë reaguar zyrtarisht së bashku.
Të tri klubet kanë reaguar me komunikata zyrtare në faqet e tyre duke treguar se ato janë duke u kërcënuar vazhdimisht pas idesë për krijimin e Superligës Evropiane. Tre klubet të cilat nuk kanë vendosur që të lënë Superligën, e cila fillimisht kishte 12 të tilla, në komunikatën e përbashkët kanë thëne “jemi të gatshëm të diskutojmë por nuk pranojmë assesi kërcënime nga UEFA”.
Komunikata e Juvestusit, Barcelonës dhe Real Madridit. Në lidhje me deklaratën e lëshuar nga UEFA më 7 maj për SuperLigën dhe për pozicionin e marrë nga 9 prej klubeve të saj themeluese, FC Barcelona, Juventusi dhe Real Madridi deklarojnë si në vijim:
Klubet themeluese kanë pësuar, dhe vazhdojnë të pësojnë, trysni, kërcënime dhe fyerje të papranueshme nga palët e treta për ta braktisur projektin dhe në këtë mënyrë të heqin dorë nga e drejta dhe detyra e tyre për të ofruar zgjidhje për ekosistemin e futbollit përmes propozimeve konkrete dhe dialogut konstruktiv. Kjo është e patolerueshme sipas sundimit të ligjit dhe tribunalet tashmë kanë vendosur në favor të propozimit për Super Ligën, duke i urdhëruar FIFA-n dhe UEFA-n, qoftë drejtpërdrejt apo përmes organeve të lidhura me to, që të përmbahen nga ndërmarrja e ndonjë veprimi që mund ta pengojë këtë nismë në çfarëdo mënyre gjatë kohës që procedurat gjyqësore janë pezull.
Projekti i Super Ligës është hartuar në mënyrë të përbashkët nga 12 klubet themeluese të saj: a) Me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve për gjendjen e tanishme të paqëndrueshme në industrinë e futbollit. 12 klubet themeluese i kanë ndarë të njëjtat shqetësime – njësoj siç bëjnë palët tjera në futbollin evropian -, sidomos në kontekstin e tanishëm socio-ekonomik, që reformat strukturore janë të domosdomshme për t’u siguruar që sporti ynë të mbetet tërheqës dhe të mbijetojë në aspektin afatgjatë. Për këtë qëllim, më 18 prill, ato e bënë të ditur vullnetin e tyre për ta krijuar Super Ligën dhe për të formuar një kanal komunikimi me UEFA-n dhe FIFA-n, në një frymë konstruktive të bashkëpunimit mes palëve, siç u njoftua secila prej tyre në atë datë.