Reali tregon pse janë mbretërit e Evropës, e poshtërojnë Liverpoolin në Anfield

Reali tregon pse janë mbretërit e Evropës, e poshtërojnë Liverpoolin në Anfield

Real Madridi është kthyer nga disavantazhi prej dy golash për ta mposhtur Liverpoolin me përmbysje (5-2) në Anfield, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Skuadra nikoqire e nisi në mënyrë të furishme takimin duke arritur ta gjejë rrjetën që në minutën e katërt. Mohamed Salah dërgoi një top drejt portës dhe Darwin Nunez shënoi gol të bukur me thembër (4’).

Pas golit të shënuar, skuadra vendase vazhdoi ta kishte posedimin në përpjekje të ndërtimit të aksioneve të reja dhe nuk vonoi goli i dytë.

(Foto: Twitter/Liverpool FC)

Mohamed Salah vazhdoi të shfaqej i rrezikshëm dhe ishte në vendin e duhur për ta dyfishuar epërsinë. Portieri mysafir, Thibaut Courtois, bëri një gafë pasi e pranoi një top duke e dorëzuar në këmbët e egjiptianit dhe ai e dërgoi në rrjetë (14’).

Mirëpo, Vinicius Junior u kujdes që Madridi të rikthehej në lojë (21’). Pas kombinimeve me Karim Benzeman, braziliani u tregua i saktë për ta ngushtuar rezultatin.

(Foto: Twitter/Real Madrid C.F.)

Gafa e Courtois nuk ishte e vetmja në këtë takim, pasi në anë tjetër gaboi edhe Alisson Becker. Një aksion i Los Blancos i përcjellë deri në fund nga Vinicius Junior shkaktoi presion te ekipi nikoqir.

Në fund topi u kthye te portieri i Redsave, i cili në përpjekje për ta pastruar e goditi sulmuesin e Realit dhe topi përfundoi në portën e tij (36’).

(Foto: Twitter/Liverpool FC)

Mbretërit e nisën për mrekulli fraksionin e dytë të lojës duke e gjetur golin e epërsisë që në minutën e 47-të. Një harkim të mrekullueshëm nga Luka Modric e priti në zonë i pamarkuar Eder Militao për të shënuar me kokë.

Më pas erdhi radha e Karim Benzema, i cili mori një top nga Rodrygo dhe me devijim e shënoi golin e katërt të skuadrës së tij (55’).

(Foto: Twitter/Real Madrid C.F.)

Topi i Artë nuk u ndal këtu, por e shënoi edhe golin e pestë (67’). Ai pranoi një top nga Vinicius, shfaqi qetësinë e tij, e krijoi hapësirën e nevojshme dhe e dërgoi topin në portën kundërshtare kur askush nuk mund ta ndalte.

Real Madridi do të ketë një ndeshje më të relaksuar në Santiago Bernabeu më 15 mars dhe epërsia prej tre golash e bën favorit për të vazhduar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. 

Related Articles