Refuzohet kërkesa për lirim të Pjetër Shalës nga Gjykata Speciale

Refuzohet kërkesa për lirim të Pjetër Shalës nga Gjykata Speciale

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka marrë vendim, me anë të së cilit ia ka vazhduar paraburgimin Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.

Sipas këtij vendimi, gjyqtari i procedurës paraprake ka arritur në përfundimin se ekzistojnë rreziqet që Shala do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së gjykatës ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që përceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar dëshmi në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe/ose që do të paraqiten para Gjykatës Speciale.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Related Articles