Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore Mitrovicës – Dega Vushtrri, ku është refuzuar kërkesëpadia e një personi ndaj Ministrisë së Drejtësisë për pengim posedim faktik dhe juridik të paluajtshmërisë, që njihet si “Vicianum” në Vushtrri.
“Me këtë aktvendim të Gjykatës kompetente vërtetohet sërish se vendimi për shkëputje të njëanshme të kontratës nga ana e Ministrisë së Drejtësisë ka qenë i drejtë për faktin se ajo kontratë ishte lidhur në kundërshtim flagrant me rendin juridik të Republikës së Kosovës. Për më tepër, akterët me lidhjen e asaj kontrate kanë konsumuar vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave tjera të ndërlidhura me të. E drejta triumfon kur ata që kanë keqpërdorur detyrën dhe kompetencat, përgjigjen për veprimet e tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.