Bullgaria të martën shënoi rekord të të vdekurve nga koronavirusi në kohën kur shteti me shkallën më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian po përballet me valën e katërt të pandemisë.
Në 24 orët e fundit u shënuan 334 viktima, ndërsa u regjistruan edhe 5.286 raste të reja infeksionesh, më pak se rekordi i shënuar në tetor, shkruan Reuters.
Më shumë se 8.500 persona ndodhen në spitale, përfshirë 734 në repartin e kujdesit intensiv, sipas të dhënave zyrtare.
Muajin e kaluar, shteti ballkanik e vendosi si kërkesë pasaportën shëndetësore për të hyrë në shumicën e hapësirave të mbyllura në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit dhe shtimin e vaksinimit. Vetëm rreth 30 për qind e popullsisë së rritur bullgare është vaksinuar plotësisht.
Më shumë se 250.000 persona e kanë marrë të paktën dozën e parë që nga 21 tetori, kur qeveria e bëri të obligueshme pasaportën shëndetësore.
Shumë bullgarë janë skeptikë për vaksinimin për shkak të mosbesimit të rrënjosur ndaj institucioneve shtetërore, keqinformimit dhe mesazheve kundërthënëse nga politikanët e ekspertët para zgjedhjeve parlamentare të 14 nëntorit./Gazeta Enigma/