Shoqëria civile e quan papërgjegjësi totale stagnimin e Kuvendit, fajësojnë fushatën

Shoqëria civile e quan papërgjegjësi totale stagnimin e Kuvendit, fajësojnë fushatën

Kryesia e Kuvendin ka dështuar që të mbajë mbledhje edhe të hënën për të caktuar seancën së re, duke e bërë mosmbajtjen e takimeve “normale”, sidomos në kohën e fushatës zgjedhore.

Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”, në një prononcim për Ekonomia Online e ka quajtur jashtëzakonisht shqetësuese dështimin e disa prej mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit.

Ai thotë se dështimi i mbledhjeve është papërgjegjësi totale e Qeverisë, ngase kjo po e cenon funksionalizimin e institucioneve.

“Për neve është jashtëzakonisht shqetësuese një çasje e tillë, për më shumë se 10 vite e kemi parë një kritikë pikërisht prej partisë që sot është në pushtet me kritika të tilla që gjatë zgjedhjeve lokale apo parlamentare janë shfrytëzuar edhe resurset qeveritare dhe njerëzit që janë thirrë dhe paguhen me taka tona për me na përfaqësu dhe me punu për neve, thjesht nuk shkojnë në punë dhe një gjë të tillë po e shohim edhe tani”.

“Dje kemi parë që i gjithë kabineti qeveritar ka qenë në përkrahje të një kandidati për kryeqytet në kohën kur edhe ne mendojmë se ka qenë me u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dhe kjo është një papërgjegjshmëri totale e qeverisë dhe e cenon direkt  funksionalizimin dhe ndarjen e pushteteve”, tha Hoxha.

Tutje Hoxha theksoi se zvarritja e diskutimit të shumë çështjeve me rëndësi në Kuvend do të ketë ndikim negativ të shtyrjen përpara të shumë proceseve.

“Kjo ka një ndikim jashtëzakonisht të madh negativ, shembull rasti i zgjedhjes së drejtorit të Agjencisë kundër korrupsionit, kemi më shumë se një muaj është përfunduar konkursi e kemi një numër të madh të aplikantëve e të cilët komisioni nuk ka arrit që me fillu intervista dhe është shty për shumë kohë. Gjithashtu kemi edhe disa procese të tjera si ai i Bordit të RTK-së dhe çështje të tjera dhe është një punë e madhe që pritet të bëhet, por që një gjë e tillë duket se për shkak të zgjedhjeve lokale duket se nuk kanë prioritet”, theksoi tutje ai.

Madje ai e konsideron se fushata do të duhej të bëhej pas orarit zyrtar të punës, raporton EO.

“Kemi një lidhje direkte të fushatës dhe papërgjegjshmërisë, fushata do duhej të bëhej pas orës 16:00, pasi është një orar zyrtar mirëpo mendoj që mobilizimi i partisë në pushtet dhe moskoordinimi i saktë i punëve ka bërë që një numër i madh i proceseve mos me shkuar përpara”.

Kuvendi gjatë së hënës ka bërë të ditur se mbledhja e paralajmëruar për në orën 11:00 shtyhet për një datë tjetër pa dhënë detaje për arsyet e shtyrjes as për kohën se kur do të  mbahet takimi i radhës. /Gazeta Enigma.

Related Articles