Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se menaxhimi i pandemisë është betejë e përbashkët e të gjitha partive politike.
Tutje, ajo tha se prioritet kryesor i Qeverisë duhet të jetë sigurimi i vaksinave, duke shtuar se duhet një plan veprues konkret nga ministri i shëndetësisë Arben Vitia për të dalë nga kjo situate.
“Menaxhimi i pandemisë është betejë e jona e përbashkët e të gjithëve prandaj konsiderojë që janë dy çështje të rëndësishme që ne duhet t’i shohim mos politizimin e menaxhimit të pandemisë nga të gjithë krerët politik një fokusim i madh i qeverisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë”.
Sipas saj, për vaksinimin masiv të popullatës duhet të angazhohet një ekip i veçantë i mjekëve dhe duhet të ketë një plan konkret nga institucionet përgjegjëse.
“Nevojiten ekipe të veçanta të mjekëve, ekipet mobile që duhet të përgatiten edhe në raste ku duhet të vaksinohen individë të cilët janë me aftësi të kufizuara apo të moshuar. Një plan veprues konkret nga ministria e Shëndetësisë do të duhet të bëhet sa më shpejt unë pres reflektim nga ministri i shëndetësisë Arben Vitia për zgjedhjen sa më shpejt të kësaj situate”, shtoi Reshitaj.