Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas raportimeve të mediave, disa qytetarë kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.
Situatë problematike vazhdon të jetë edhe në Malishevë, ku parkingu nëntokësor dhe nënkalimi për vetura janë përfshirë sërish nga uji. Ky objekt kishte dalë jashtë funksionit edhe pak ditë pas përurimit të tij, si pasojë e reshjeve dhe grumbullimit të ujit. Edhe pse Komuna e Malishevës më herët kishte deklaruar se problemi lidhej me bllokimin e sistemit të kullimit nga qytetarë të papërgjegjshëm, pamjet e fundit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata nuk është zgjidhur. Parkingu mbetet i pakalueshëm për automjetet, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e tyre.
Situatë e rënduar është edhe në disa pjesë të Prishtinës, ku lagjet si Prishtina e Re, Dardania, Lakërishtë dhe disa zona të tjera janë duke u përballur me vërshime.
Vërshime të mëdha janë raportuar edhe në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku pothuajse i gjithë fshati është vërshuar nga uji.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.



