Të rinjtë në Kosovë, kanë filluar të ndjekin shkolla të ndryshme profesionale, ata po trajnohen si bukëpjekës, kamarierë dhe saldues, pasi sipas tyre kjo është një mënyrë më e shpejtë për të dal jashtë vendit, shkruan prestigjiozja Reuters.
Dashurie Cahanaj, studion në një shkollë profesionale në Prizren, për një diplomë si bukëpjekëse – të cilin ajo shpreson se do të jetë “biletë” më e shpejtë për të dal jashtë vendit sesa diploma e saj e infermierisë e fituar me mund.
23-vjeçarja, si një numër vazhdimisht në rritje i bashkëmoshatarëve të saj, është e dëshpëruar që i duhet të largohet nga vendi i saj, për të gjetur një punë në pjesë më të pasura të Evropës, raporton Reuters.
Ajo mund të fillojë të plotësojë dokumentet dhe formularët e vizave për të transferuar aftësitë e saj mjekësore.
Por konkurrenca për një punë të tillë është e ashpër dhe koha nuk pret.
“Nga këtu do të duhen vite derisa të marr një vizë pune për një punë si infermiere në Gjermani”, tha ajo për Reuters.
Në vend të kësaj, ajo tashmë ka bërë kontakte në furrat e bukës në Slloveni, të cilat janë gati të marrin menjëherë staf me kualifikim më të ulët.
Pasi të jetë vendosur në Bashkimin Evropian, ajo do të jetë në një pozicion më të fortë.
“Kam zbuluar se gjetja e një pune në një furrë buke në Slloveni dhe më pas aplikimi për të punuar si infermiere në Gjermani është një mundësi shumë më e shpejtë për mua”.
Me bruto produktin e brendshëm për kokë banori prej 4 mijë e 300 dollarësh dhe një të tretën e popullsisë së punës të papunë, Kosova renditet ndër vendet më të varfra të Evropës.
Në një sondazh të Insitutit Republikan Ndërkombëtar, hulumtimet treguan se rreth 78 përqind e kosovarëve të moshës ndërmjet 18 dhe 35 vjeç ishin të gatshëm të largoheshin jashtë vendit nëse u jepej një mundësi.
Gjithsej 203 mijë e 330 qytetarë kosovarë u larguan nga vendi ndërmjet viteve 2008 dhe 2018 dhe aplikuan për azil në Bashkimin Evropian, sipas një studimi të publikuar nga Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës – duke ngritur frikën për mungesën e afërt të fuqisë punëtore në vend.
Qendra e Trajnimit Profesional në Prizren është një nga gjashtë shkollat profesionale në Kosovë që u ofron të rinjve kurse të shkurtra në çdo gjë, nga pjekja dhe grimi deri te saldimi dhe punimet elektrike.
Drejtori i përgjithshëm i qendrës, Sinan Gashi, tha se numri i studentëve është dyfishuar që nga viti 2015.
“Nuk ka të ardhme për të rinjtë (këtu)”, tha Rilind Babatinca, një ekonomist i trajnuar nga qyteti i Podujevës në të njëzetat e tij.
Ai tha se tashmë kishte filluar të bënte plane për të lënë mënjanë kualifikimet e tij dhe kishte filluar aplikimet e vizës, për të punuar në një restorant të ushqimit të shpejtë në Gjermani./Gazeta Enigma/