Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë larguar nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Kjo pasi partitë nuk arritën të dakordoheshin lidhur me renditjen e votimit të draft-rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës së viktimave të luftës.
Ndonëse gjitha partitë në parim e përkrahën rezolutën, ishte PDK-ja ajo e cila kërkoi që kjo rezolutë të votohej si pika e parë në seancën e sotme.
“Sot përballë neve nuk kemi vetëm sfida politike dhe institucionale por edhe një më të rëndësishme, përpjekje për ta shtrembëruar identitetin tonë. Ne kemi dhënë një draft propozim jemi të gatshëm ta diskutojmë, kërkojmë që të futet në rend dite si pikë e parë. Nuk ka kuptim që Kuvendi sot të sillet normalisht dhe të mos e miratoj si pikë të parë këtë rezolutë menjëherë pas pyetjeve parlamentare”, tha deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, teksa e bëri propozimin.
Çitaku ka thënë se të gjithë deputetët kanë pasur kohë të mjaftueshme të japin komentet e tyre për rezolutën, duke shtuar se tekstin e kanë dërguar të mërkurën te të gjithë deputetët.
Ka shtuar se përkundër kësaj, mund të ulen të diskutojnë për tekstin. Por, ka insistuar që rezoluta të jetë pikë e parë e rendit të ditës.
Ndërkohë VV-ja, në parim e përkrahu porse nga kjo parti konsideruan se renditja e votimit të rezolutës “nuk është aq e rëndësishme”.
Kjo u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët përmes Arbërie Nagavcit theksuan që të formohet një grup punues, ky LVV-ja do jap përkrahjen e saj.
“Sikurse e diskutuam edhe në takimin e Kryesisë, LVV është e gatshme të kontribuojë në një rezolutë që do të paraqiste përmbajtësisht në aspekt shumëdimensional çështje që trajtojnë luftën e fundit. Në lidhje me këtë, ne jemi të gatshëm të delegojmë deputetët tanë, që bashkë me deputetët e GP-ve tjera që të vijnë me një rezolutë e cila i adreson këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Nagavci, teksa shtoi se pret që deri në fund të ditës të sillet një draft për miratim në Kuvend.
Pas një takimi të shkurtër midis shefave të grupeve, me ftesë të kryeparlamentares Haxhiu, partitë s’arritën pajtim.
Si revoltë ndaj kësaj, deputetët e PDK-së njoftuan se do e tërheqin kërkesën për votimin e rezolutës, dhe do ta lëshojnë sallën e Kuvendit.
Edhe LDK-ja e AAK-ja e përkrahën rezolutën.
Shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se e kanë lexuar tekstin e rezolutës dhe e mbështesin.
“LDK-ja e ka shqyrtuar tekstin dhe në parim pajtohemi për të sepse mendojmë që është obligim shtetëror ta mbrojmë të vërtetën dhe të kaluarën. Jemi te gatshëm të bëhemi pjesë e grupit punues dhe të kontribuojmë në të”, ka thënë ajo.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se tekstin e rezolutës e kanë pranuar dje dhe i kanë dhënë komentet e tyre.
Ai ka propozuar që në rend të ditës duhet të futet si pikë e parë.
“Sot kemi pasur një takim në mëngjes ku jemi pajtuar të kemi një përmbajtje të përbashkët. Rrethanat në të cilat është sot Kuvendi na obligojnë ta kemi një qëndrim. Propozimi im është gjithashtu të jetë si pikë e parë. Nuk besoj qe ka nevojë për shkencë të madhe”, ka thënë ai./ Gazeta Enigma.
