Kosova bëhet sërish objekt debati në parlamentin e një shtetit anëtar të BE, jo për njohje të mundshme si në rastin e Spanjës, por për ç’njohje. Partia Populiste e Lirisë në Austri, e cila doli e para në zgjedhjet europiane të këtij muaji, i dorëzoi parlamentit austriak një projekt-rezolutë, përmes së cilës i kërkon të deklarohet kundër pavarësisë së Kosovës.
Në kërkesën e dorëzuar nga shefi i grupit parlamentar të partisë, Maximilian Kraus dhe deputeti Anton Mahdalik, e që aktualisht është në diskutim, theksohet se Kosova nuk është shtet i pavarur, shkruan a2cnn, përcjellë Enigma.
“Kosova ishte pjesë e Serbisë dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare u nda nga Serbia pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Deri më sot shumica e shteteve nuk e kanë njohur si të pavarur. Njohja e Kosovës nga SHBA-të dhe vendet evropiane jo vetëm ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, por edhe Rezolutën 1244 të OKB-së”, thotë Partia Austriake e Lirisë (FPO).
Në projekt -rezolutë theksohet se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë përkeqësuar edhe më shumë; se shumica shqiptaro-myslimane është kundër minoritetit ortodoks serb, dhe se autonomia juridike e politike e pakicës nuk është e garantuar. Partia e djathtë flet më tej për deficite në sundimin e ligjit, dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa përmend krimin e organizuar si problem veçanërisht të madh. Për të gjitha këto, thotë partia e lirisë, dorëzojmë kërkesë kundër njohjes së Kosovës, dhe anëtarësimit të saj në BE.