Rishqyrtimi i masave antiCOVID, ky është reagimi i gastronomëve

Rishqyrtimi i masave antiCOVID, ky është reagimi i gastronomëve

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka rishqyrtuar masat antiCOVID, shkruan Gazeta Enigma.

Njëra nga masat e reja është zgjatja e orarit të kafiterive deri në ora 23:00, por me posedim të dokumentit që pasqyron se klientët janë të vaksinuar me dy dozat.

Kryetari i Gastronomisë, Veton Zuka ka shprehur pakënaqësi ndaj këtyre masave të ndërmarra.

Ai për Gazetën “Enigma” tha se duhet rishqyrtim për këto masa të reja, për shkak se sipas tij në lirimin e masave nuk kanë hyrë sallat e dasmave, klubet e natës.

“Prap kemi të bëjmë me një mangësi të masave, shtoja këtu edhe orën policore që është e panevojshme edhe e pakuptimtë”, ka thënë Zuka.

Zuka është ankuar se Qeveria deri tani nuk i ka ndihmuar me mjete financiare gastronomët.

“Qeveria nuk ka paguar asgjë, realisht prej kur ka qenë 8 përqind, e kthyn në 18 përqind dhe masat u bënë edhe më rigoroze, kshtu që nuk kanë reaguar asgjë”.

I pakënaqur është shprehur edhe Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, i cili tha se nuk pajtohen as me masat e reja të propozuara.

“Ne kemi pasë takim dje në ministrinë e Shëndetësisë edhe të gjitha kërkesat të cilat i kemi paraqitur në një formë kanë filluar të përshtaten. Me vet faktin që ministri paraqiti disa lehtësime tregon që jemi dakorduar për disa masa të cilat duhet të jenë patjetër më të lehta. Për masat që janë aktuale nuk jemi pajtuar asnjëherë, për arsye se edhe studimi që po bëhet nganjëherë po bëhet ad-hoc”, ka thënë.

“Të gjitha studimet që janë bërë nuk kanë qenë në përputhje me realitetin që është në terren, për arsye se çdo herë është thënë që gastronomia, hoteleria dhe veprimtaritë turistike janë vatër e përhapjes së COVID-19 derisa kur këto ishin të vetmet veprimtari që u kufizuan më tepër pamë se kishim mbi 3000 deri 4000 raste në ditë. Gastronomia dhe hoteleria nuk kanë qenë vatër e përhapjes së virusit. Nëse merr masa atëherë ato nuk duhet të jenë të pjesshme, sepse masat selektive nuk mund të japin rezultat”, ka potencuar.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë, ka treguar për rekomandimet që janë dhënë në mbledhjen e sotme e që pritet të miratohen nesër nga Qeveria e Kosovës.

Ai tha se ora policore të rikthehet nga ora 00:00 deri në ora 05:00, gastronomia deri në orën 23:00, maska të hiqet në ambientet e jashtme, fitneset do të hapen dhe hyrja në kufi do të lejohen të gjithë ata që kanë dy vaksina, ndërsa ata që kanë një vaksinë duhet ta kenë edhe testin PCR.

Latifi bëri thirrje që çdo veprimtari, së cilës i janë lehtësuar masat, duhet që të pranojnë vetëm ata qytetarë që kanë dy doza të vaksinës./Gazeta Enigma/.

Related Articles