Kupa Arabe 2021 starton sot dhe bashkë me të edhe eksperimentimi i teknologjisë së pozicionit jashtë loje gjysmë-automatik. Emri origjinal është “Semi-automated offside” dhe bëhet fjalë për një teknologji që komunikon me sallën VAR, jo drejtpërdrejtë me arbitrin kryesor të ndeshjes.
Synimi i FIFA-s është që kjo teknologji të aplikohet në Kupën e Botës Katar 2022, si një risi që do të sjellë më pak ndalesa në lojë dhe një konfirmim më të shpejtë të golave, teksa testimi do të bëhet pikërisht në Kupën Arabe.
“Teknologjia është shumë e rëndësishme, si në përgatitjen para ndeshjes, ashtu edhe në marrjen e vendimeve gjatë saj. Ne po punojmë që me ndihmën e saj të analizojmë më shpejt situatat e pozicionit jashtë loje, por sinjalizimi do të jepet në sallën VAR. Kjo pasi teknologjia mund të sinjalizojë nëse një lojtar është më i avancuar, por më pas u mbetet arbitrave të vlerësojnë lëvizjet e tij, nëse është i përfshirë në aksion apo jo”, deklaroi Shefi i Arbitrimit në FIFA, Pierluigi Collina.
Synimi i FIFA-s është që shumë shpejt pozicioni jashtë loje të sinjalizohet automatikisht, menjëherë, çka do të kursente shumë kohë, megjithatë në botëror pritet vetëm aplikimi i pozicionit jashtë loje gjysmë-automatik.