Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se çfarëdo lloj Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit, megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështes implementimin e plotë të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel. Por, po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Rohde për RTK.
Sipas tij, politikanët duhet të punojnë të realizmin e atyre marrëveshjeve në mënyrë që të arrihet që të gjithë e duam, stabiliteti dhe paqja.
“Tani kemi një situatë kur ende kemi struktura paralele, i gjithë qëllimi i Asociacionit që të sjellë strukturat paralele, në kuadër të legjislacionit të Kosovës”, theksoi ai.
Diplomati gjerman ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit Menaxhues, duke thënë se vendimi i sotëm nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një takim virtual me gazetarët, ka folur për takimin e së martës në Bruksel.
Escobar ka thënë se implementimi i marrëveshjes së arritur në Ohër, fillon me themelimin e Asociacionit.
“Para takimit të djeshëm në Bruksel kemi diskutuar për implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër. Implementimi i saj fillon me themelimin e Asociacionit. Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë të ecim përpara me këtë”, tha Escobar, shkruan Telegrafi.
Qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.
Ky ishte epilogu i rundit të fundit të bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua të martën në Bruksel.
Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve kërkuan nga palët qasje më konstruktive, derisa shprehën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.