Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur sot te stacioni i autobusëve në Drenas, ku disa nxënës të shkollës së mesme teknike janë përfshirë në përleshje.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje, ku pesë nxënës kanë sulmuar fizikisht katër të tjerë, të cilët për pasojë një prej tyre kanë pësuar lëndime trupore, për çka janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktimat po marrin trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Sipas informacioneve të para, ata janë sulmuar me shkop druri, thikë e mjete të tjera.
Në anën tjetër, Policia është vënë në lëvizje për t’i arrestuar të dyshuarit, dy prej të cilëve janë kapur, ndërsa tre të tjerë ndodhen akoma në arrati.
Derisa kërkimet po vazhdojnë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor”, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të arrestohen edhe të dyshuarit e tjerë.
Kujtojmë se rastet e tilla janë kthyer në shqetësim edhe për prindërit, për shkak të sigurisë në institucionet arsimore dhe në afërsi të tyre.