Rrahmani: Duam të kujtohemi si heronj

Rrahmani: Duam të kujtohemi si heronj

Mbrojtësi I Napolit, Amir Rrahmani, ka thënë se qëllimi i gjithë skuadrës është të luftojnë deri në fund edhe pse është herët të flitet për titullin e kampionit në Itali.

“Jemi të vetëdijshëm që është ende herët për të folur për titull. Kemi ëndërr dhe qëllim të madh të përbashkët me shikuesit për të arritur një sukses. Ne duam të kujtohemi si heronj, siç tha trajneri. Ne do të përpiqemi deri në fund”, ka thënë Rrahmani të enjten për një radio lokale të Napolit.

Të dielën Napoli do të luaj në shtëpi në derbin ndaj Milanit, në kuadër të javës së 28-të të Serie A. Kapiteni i Kosovës thekson se synojnë të mos e lejojnë Milanin t’u shënojë gol.

“Me Milanin do të përpiqemi të mos pësojmë asnjë gol. Synojmë ta mbajmë portën e paprekur”. Ai ka theksuar se ka qenë një fitore e rëndësishme e Napolit ndaj Lazios.

“Me Lazion ishte një fitore e rëndësishme për të vazhduar të qëndrojmë lart në renditje. Tani jemi në një fazë kur të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme dhe mund të ketë deri në fund të paktën 4-5 ekipe në luftë për titull. Atalanta dhe Juventusi gjithashtu mund të kthehen. Gjithçka mund të ndodhë”, është shprehur Rrahmani.

Ai nga tifozët e Napolit krahasohet me Raul Albiolin. Mbrojtësi spanjoll aktualisht është pjesë e Villarrealit, ndërsa për Napolin ka luajtur nga viti 2013 deri në vitin 2019.

“Nëse e thonë tifozët, jam i lumtur. Kam nevojë për vazhdimësi dhe të luaj me Koulibalyn është gjithmonë më e lehtë. Ai është i mrekullueshëm. Edhe kur kisha pak hapësirë, besoja në aftësitë e mia. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe ndoshta të përmirësohem më shumë”, ka thënë Rrahmani.

Related Articles