Ferizaj e emëroi Arbnor Morinën si trajner të ri më 17 shtator të vitit 2021 i cili erdhi si zëvendësues i të shkarkuarit Megzon Visoka.
Morina e gjeti Ferizajn në fundin e tabelës pas 5 ndeshjeve duke i pësuar tri humbje dhe dy barazime.
Trajnerin nga Prishtina e priste punë e vështirë që t’a këndellte skuadrën e Ferizajt dhe ta bënte kampion në Ligën e Parë, Grupi B.
Ferizaj u shpall kampion i Ligës së Parë në Grupi B, tri xhiro para përfundimit të kampionatit. Ferizaj pozicionohet në vendin e parë me 56 pikë, dy xhiro para përfundimit të sezonit. Skuadra e drejtuar nga Arbnor Morina do ta festojë titullin kampionit dhe inkuadrimin në Superligë në xhiron e parafundit si vendas ndaj KF Kikës.
57-vjeçari në një intervistë për Gazetën Enigma ka rrëfyer për aventurën e suksesshme e tij te skuadra e Ferizajt Kjo ishte hera e parë në karrierën 25-vjeçare që Morina e merrte drejtimin e një skuadre në Ligën e Parë, pasi gjithmonë ka drejtuar skuadra nga Superliga.
Kryesia e Ferizajt e kishte kontaktuar Morinën para fillimit të kampionatit, mirëpo kishin vendosur për Megzon Visokën që e nisi sezonin me këtë skuadër.
“Të drejtën met thanë kontakte kam pasur edhe para fillimit të kampionatit, mirëpo është vendosur për shtabin teknik i cili e ka fillu kampionatin edhe mendoj që ata e kanë bërë një punë të mirë, por rezultatet nuk kanë shku sipas pritshmërive”, tregon Morina për Gazetën Enigma.
Arbnor Morina tregon se cila ka qenë kërkesa e drejtuesve në drejtim të tij në momentin e nënshkrimit të kontratës.
“Në momentin kur kam ardhë edhe e kom marrë ekipin kërkesat e drejtuesve të klubit kanë qenë që ne me qenë sa ma stabil, dalë ngadalë me u kompletu ekipi me u bo selektimi i futbollistëve në pjesën e parë të kampionatit, mandej me vazhdu për pjesën e dytë, krahas saj me u bo zhvillimi i krejt infrastrukturës së klubit dhe asaj sportive. Duhet me thanë që është një meritë shumë e madhe e njerëzve që e udhëheqin në krye me kryetarin e klubit, drejtorin edhe njerëzit që i ka afër tij”, tregon ish-trajneri i SC Gjilanit.
Morina thotë se e nisi punën në një atmosferë të vështirë dhe se lojtarët e Ferizajt nuk e kishin motivin e duhur. Ai gjithashtu ka edhe një mesazh edhe për kritikuesit e tij të cilët kishin thënë se skuadra e tij është për mesin e tabelës.
“E kemi fillu punën me një atmosferë mjaftë të vështirë. Pse po thom atmosferë e vështirë sepse këta djem kanë qenë të rënditur në fund të tabelës dhe kanë fillu me humb moralin, mirëpo jemi rikthy në rrugën e suksesit dhe kemi vazhdu deri në përfundim. Duhet me e cek që nga fillimi iu kam thënë djemve që unë besoj shumë në ta edhe që janë djem të mirë, punëtorë të mirë dhe kanë kualitet dhe nuk duhet me u luhat në pikpamje psikologjike edhe pse ka pasur shumë të tillë që nuk kanë besuar në këta djem të cilët kanë thënë se kjo është një ekip mesatare. Këta djem e kanë arritë atë që pak kush e ka pritë”, flet me krenari për skuadrën e tij, trajneri Morina.
Ai rrëfen se çfarë ndjenje ishte për të që të punonte për herë të parë në Ligë të Parë.
“Hera e parë në karrierë që unë kam punu në Ligë të Parë, tërë jetën kam punu në Superligë. Ishte interesant me qenë në Ligë të Parë, pasi ekipet sipas meje janë goxha të nivelizume edhe ajo që më ka pëlqëy e kom pa që ka brenda ekipeve shumë djem të rinj të cilët e kanë dëshirë me u përmirësu, me punu dhe me u tregu. Ajo çka m’ka pengu është infrastruktura, pasi në disa vende nuk është bash qysh duhet, mirëpo puna e jonë është e tillë, kurrë nuk mundeni me zgjedh se kur do të shkoni, qysh do të shkoni. Gjithmonë është klubi që i dikton gjërat”, tregon ai.
Ai thotë se lojtarët e tij kanë tregu një dëshirë të madhe për me arritë rezultate pozitive në fushën e lojës.
“Këta djem prej momentit që kam ardhë kanë tregu respekt, vetëbesim kanë tregu një dëshirë për punë dhe atë e kanë rezultu me rezultate. Unë vetëm kam ndihmu ngapak prej anash, sepse merita kryesore është e tyre. I kom ndihmu me stërvitje, me këshilla me gjëra të tjera edhe e kemi qu deri në fund në mënyrën më të mirë”, thotë ai.
I pyetur se a do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm në Superligë me Ferizajn, Morina tregon se kanë bërë një marrëveshje me drejtuesit e klubit në fillim të sezonit që të vazhdojnë më gjatë.
“Me kryetarin kur m’ka thirr me e marrë ekipin në ato momente të vështira, kemi bashkëbisedu edhe kemi fol për një bisedim më afatgjatë, sepse i kemi ditë ato qëllimet të cilat i ka parashtru kryetari me bashkëpuntorët e vet rreth organizimit të klubit. Ka qenë një marrëveshje për me u punu më gjatë, mirëpo në futboll nuk dihet kurrë, sepse është i paparashikueshëm. Këto ditë do të ulemi dhe do të shikojmë sesi do të shkojmë më tutje”, tregon Morina duke lënë të kuptohet se do ta drejtoj Ferizajn në sezonin e ardhshëm në Superligë.
Ferizaj pritet të ketë ndryshime në Superligë, këtë gjë e konfirmon edhe trajneri Morina i cili paralajmëron ndryshime brenda skuadër të tij.
“Superliga është një nivel tjetër dhe nevojiten me u bo disa ndryshime brenda, kështu që do të bisedojmë me kryetarin edhe do ta shohim sesi do të shkojnë gjërat. Mua përsonalisht karriera më ka mësu se jam prej vitit 1997-të jam trajner në Superligë edhe më ka mësu jeta që gjanat në futboll janë të paparashikueshme. Por ajo që e shohë është se ekziston dëshira e dyanshme për vazhdim të punës dhe bashkëpunimit. Me siguri që do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët se deri tani ka qenë shumë mirë”, tregon ai.
Morina ka një falënderim për lojtarët e tij që e kanë duruar gjatë këtij sezoni. Ai ka fjalë të mira edhe për ekipet kundërshtare që tregon se e kanë mirëpritun në sëcilen ndeshje që e kanë luajtur si mysafir.
“U jam falenderues të gjithë lojtarëve që më kanë duru gjatë gjithë kësaj kohe me bërtimet e mia ndonjëherë edhe falenderues me të gjitha ekipet e ligës me të cilat kemi lujt, sepse në asnjë fushë nuk kemi hasur në ndonjë mospritje sportive, sepse çdo gjë ka qenë në suaza të sportivitetit edhe kemi pasë lojëra të mira. Nuk mundesh me bo lojëra të mira nëse nuk i ki kundërshtarët e mirë”, thotë ai.
Ai thotë se një qytet si Ferizaj e meriton një skuadër në Superligë.
“Ferizaj njëri prej qyteteve më të fuqishme në Kosovë e edhe një ekip në Superligë, sepse ka histori. Një qytet që më numër të madh të banorëve e Meriton, ashtu qysh e meritojnë edhe të tjerët”, përfundon ai.