Rreshteri i Policisë së Kosovës, Mehdi Kozhani ka thënë Enver Sekiraqa ka bërë shtytje të qëllimshme dhe të planifikuar tek Arben Berisha, për vrasjen e të ndjerit Triumf Riza.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza.
Për vrasjen e Rizës, Arben Berisha ishte dënuar me 35 vite burgim.
Dëshmitari Kozhani i cili kishte qenë hetues i rastit për vrasjes e Rizës, tha se në bazë të informacioneve që kishin pasur, nuk kishin hasur në ndonjë rast që i ndjeri Riza dhe tashmë i dënuari për vrasjen e tij, Arben Berisha kishin pasur ndonjë konflikt të mëhershëm.
“Kemi vërejtur se Arben Berisha nuk ka pasur ndonjë konflikt të hapur me Triumf Rizën por dyshimet kanë shkuar tu forcu se Sekiraqa e ka përdorur Arbenin për këtë vrasje dhe ka bërë shtytje të qëllimshme dhe të planifikuar. Nga dëshmitë që i kemi parë, Arben Berisha identifikohet si pjesëtar i grupit të tyre, pasi ka pasur edhe ndeja mes tyre dhe në bazë të komunikimeve mes tyre”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari Kozhani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Special Haki Gecaj ka thënë se mbetet pranë pesë deklaratave të dhëna në shqyrtimet e kaluara për këtë rast.
Ai ka thënë se me 30 gusht 2007, në ditën kur kishte ndodhur vrasja e Rizës, ai kishte qenë në pushim vjetor ndërsa tha se një ditë më pas ishte ngarkuar për të hetuar këtë rast, së bashku me kolegun e tij Burim Osmanin.
Sipas tij, në bazë të informacioneve kishte pasur kontrollë në 2-3 lokacione si, në shtëpinë e të akuzuarit Sekiraqa, shtëpinë e vëllait të tij, në lokalin “Sekiraqa”, në shtëpinë e Rrahim dhe Ilir Abdullahut dhe një lokacion tjetër që sipas dëshmitarit ka mundur të jetë i ndonjë kushëriri të tyre.
Ai ka thënë se vetëm pas disa orësh nga kryerja e vrasjes, ishte marrë vesh se kryesi kishte qenë Arben Berisha, i cili sipas tij, ka qenë pjesëtar i grupit Sekiraqa.
Dëshmitari tha se edhe pse Arben Berisha ishte zbuluar se e kishte kryer vrasjen, për shkak të konfliktit të mëhershëm mes të ndjerit Riza dhe të akuzuarit Sekiraqa, ishin bastisur edhe shtëpia e të akuzuarit dhe shtëpitë e familjarëve të tij.
“Duke pasur parasysh konfliktin mes të ndjerit dhe të akuzuarit, se Triumfi ka kërkuar ndihmë nga Policia, informacionet janë dhënë se Sekiraqa dhe grupi i tij kanë qenë të përfshirë në këtë vrasje”, ka thënë dëshmitari.
Informacionet se grupi i të akuzuarit Sekiraqa kishte qenë i implikuar në vrasjen e Rizës, dëshmitari tha se kishin ardhur nga Drejtoria e Inteligjencës dhe Analizës e cila vazhdimisht merret me informacione të brendshme dhe të jashtme.
Ai tha se çdo polic i Kosovës kishte qenë në dijeni se Sekiraqa kishte qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale.
“Derisa ka ndodhur rasti i vrasjes, nuk kemi trajtuar informacionet për hetimin e Enver Sekiraqës, por në momentin kur ka ndodhur rasti kemi kërkuar nga ky departament informacione dhe i kemi analizuar këto info”, ka thënë dëshmitari.