Rreth 11 mijë persona presin të përfitojnë nga ligji për pensione

Rreth 11 mijë persona presin të përfitojnë nga ligji për pensione

Për pensionistët e Kosovës, duket se po vijnë ditë të mira, pasi që Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kriterin diskriminues, e që ua kërkonte atyre 15 vite përvojë punë para luftës. 11 mijë persona presin të përfitojnë nga ky ligj, i cili brenda 6 muajve pritet të dërgohet në Kuvend

15 vite përvojë pune para luftës, i janë dashur pensionistëve të Kosovës që ta marrin pensionin bashkë me kontributet e tyre pensionale. Ky kriter, i cili është konsideruar diskriminues, pritet të hiqet pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’ua njohë kontributet punëtorëve të larguar nga puna viteve të 90-ta.

Asllan Asllani, kryetar i Pensionistëve të Prishtinës tha se e kanë mirëpritur këtë vendim që sipas tij, është i drejtë.

“Është shumë e drejtë që t’u njihet dhe kompensohet ajo pjesë, sepse na kanë larguar nga puna pa dëshirën tonë”, tha ai.

Ky vendim nga Gjykata Kushtetuese duhet të kalojë në afat kohor, tha për Radio Kosovën hulumtuesi i Institutit Kosovar për Drejtësi, Gëzim Shala, duke shtuar se brenda 6 muajve, Qeveria dhe Kuvendi duhet t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për ta shtyrë përpara këtë ligj.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur për sa i përket aspektit se kur ky vendim hyn në fuqi dhe ka përcaktuar afatin 6 mujor e që i bie që brenda kësaj periudhe, Qeveria dhe Kuvendi duhet të ndryshojnë ligjet, vendimet, politikat, aktet nënligjore dhe të gjitha të tjerat që kërkohen për zbatim të aktgjykimit në fjalë, në mënyrë që kjo kategori të mos përjashtohet nga ky lloj i pensionit”, tha ai.

Shala bëri të ditur se edhe ata të cilët aktualisht janë në pension, do të mund të përfitojnë të drejtën e tyre nga ky ligj.

“Po ashtu në momentin kur adresohet kjo çështje nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, më pastaj ky kufizim nuk do jetë fare edhe që i bie që të gjithë personat që kanë kontribuar në këtë periudhe pa marrë parasysh faktin që nuk i kanë 15 vite do ta ushtrojnë të drejtën me këtë pension, edhe pensionistët aktual edhe ata të tjerët që në ndërkohë do ta arrijnë moshën e pensionimit”, tha ai.

Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj ka thënë se partia e tij tash e disa vite ka kërkuar që të hiqet ky kriter diskriminues. Ai tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duhet të respektohen.

“Brenda afatit, pozitë e opozitë duhet të mbështesin këtë ligj ashtu që brenda 6 muajve ky ligj të marrë formën e prerë e që pensionistet të marrin kontributin e vet”, tha ai.

Sipas të dhënave, rreth 11 mijë persona presin të marrin pensionet me kontributet e tyre.

Related Articles