Janë rreth 50 gjoba që ka shqiptuar Inspektorati i Punës që nga hyrja në fuqi e rregullores për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë.
Në këtë drejtim, inspektorati i kryeqytetit po ndërmerr masa kundër zhurmës dhe thonë se në masë të madhe kanë arritur ta evitojnë bezdisjen në zonat e kryeqytet.
Kështu bëri të ditur për KP, drejtori i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi. Kurse, nga Shoqata e Gastronomisë kërkon që kjo rregullore të përmirësohet në mënyrë që mos të ketë intervenime nga Policia.
Drejtori i inspektorëve, Florian Dushi tha se ende ka lokale që nuk kanë aplikuar fare që të pajisen, porse po mundohen t’i inspektojnë të gjitha.
“Kemi arritur të sjellim në kryeqytet qetësinë e munguar, të evitojmë atë bezdisjen që kemi pasur në zonat e banimit në masë të madhe… 00:48 Nga ana e gastronomëve ka disa vërejtje sa i përket funksionimit të këtij sistemi, por të them të vërtetën mbi bazën e sqarimeve që ka ofruar kompania në këtë rast, më tepër po i konsideroj si disa justifikime për rastet të cilat po ndodhin… Pjesa dërmuese është pajisur me matësit e zhurmës, gjatë inspektimit tona, natyrisht që shohim nëse eventualisht ka lokale të tilla, dhe mos të them tash vonë kemi rastisur në një lokal, i cili fare nuk ka aplikuar për t’u pajisur dhe po vazhdojnë”, thotë Dushi.
Dushi derisa tregon punën që po bëjnë në terren, thotë se janë shqiptuar rreth 20 vërejtje për ata që nuk po respektojnë vendimin e komunës, e po ashtu edhe rreth 50 gjoba.
“Sa i përket numrit të gjobave, janë tre kategori, është paralajmërimi si fazë e parë, gjobat që pastaj varësisht nga përsëritja e shkeljes apo tejkalimit, variojnë nga 1000 deri në 3000 euro, dhe masa e fundit e më e rënda që konsideroj ndëshkimore që parashihet në rregulloren e re, është mbyllja deri në tetë ditë të lokalit. Deri më tani kemi pasur mbi 20 paralajmërime apo vërejtje që janë dërguar për lokalet, ndërsa ka rreth 50 gjoba të vlerave të ndryshme që janë shqiptuar lokaleve në kryeqytet … Zhurma e decibelëve dallon varësisht nga zona në cilën funksionojnë këto lokale, por përgjithësisht në pjesën qendrore të Prishtinës, është 60 decibel. Ky decibel nuk vlen për koncertet që mbahen, por parashihet edhe për ato. Drejtoria e Shërbimeve Publike në secilin rast që ofron pëlqim për mbajtjen e një festivali apo koncerti, duhet t’ua përcaktojë edhe nivelin e decibelëve të cilët ata janë të detyruar ta respektojnë”, shton Dushi.
Ndërkaq, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica ka adresuar ankesa sa i përket kompanive që i rregullojnë këto çështje. Sipas tij, ky vendim është i mirëkuptueshëm deri te pjesa ku nuk dëmtohen bizneset, por jo edhe në mënyrë të padrejtë.
Vranica lidhur me zbatimin e rregullorës së re, pati edhe një kërkesë. Sipas tij, duhet që përmes kësaj rregullore të respektohet ligji dhe mos të intervenojnë edhe Policia.
Projekti i mbrojtjes nga ndotja akustike po implementimet përmes instalimit të matësve të zhurmës në bizneset e gastronomisë. Me këtë rregullore përcaktohet orari i punës për subjektet afariste në sektorin e gastronomisë, si dhe parandalimi dhe shmangia e efekteve të dëmshme, përfshirë bezdisjen e qytetarëve si rezultat i ekspozimit të zhurmës të krijuar nga sektori i gastronomisë. Zonat në të cilat mund të ushtrohet veprimtari sipas orarit të përcaktuar në këtë rregullore përfshijnë zonën urbane, industriale dhe zonën rurale.