Rrezikonte dënim për vepër penale, lartësia e të cilit nis nga 6 muaj burg. Për këtë rast, ku Kryeimami i Pejës, Enes Goga ishte akuzuar nga Prokuroria për krimin e ‘Vetëgjyqësisë”, në nëntor të këtij viti hyri në marrëveshje me biznesmenin ndaj të cilit, sipas Prokurorisë, kishte kryer krimin në fjalë.
Në shtator të vitit 2020, pasi që kishte krejt dokumentet në rregull, biznesmeni pejan, Driton Murqaj kishte vendosur që ta kyçte kompleksin që po ndërtonte në rrymë. Por, kjo sipas Prokurorisë në Pejë iu pamundësua nga Kryeimami i këtij qyteti, Enes Goga.
Për këtë, Prokuroria e kishte akuzuar Kryekimamin Goga me nenin 410 të Kodit Penal- “Vetëgjyqësi”.
“Kushdo që ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet në pikën e parë të këtij neni, kurse në të dytin specifikohet se nëse kjo vepër kryhet me forcë apo kanosjes serioze dënohet me burgim deri në dy vjet burg“.
Kodi penal parasheh që nëse kjo vepër kryhet “duke vepruar si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet” burg.
Prokuroria e kishte sqaruar edhe se si e kreu këtë vepër penale Kryeimami Goga.
“..Me dt. 29.09.2020, rreth orës 07:30 minuta, në rr “Asllan Qeshme” në Pejë, me dashje ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, në atë mënyrë që përderisa i dëmtuari-dëshmitari Driton Nurqaj si pronar i firmës “Ndërtimtari SH.P.K”, ishte duke bërë kyqjen në trafon…., në bazë të pëlqimit elektro-energjetik-të KEDS ….dhe marrëveshjes së noterizuar me “D….”, me…, dhe i cili kishte bërë njoftimin e banorëve të kompleksit banesor “J…” përmes afishimit, pengohet nga i pandehuri Enes Goga i cili të dëmtuarit në fjalë i ndërprenë punën edhe nuk e lejon të vazhdojë me kyçje në trafo të rrymës, edhe pse i dëmtuari ishte i pajisur me dokumentacion të nevojshëm lidhur me kyçjen në fjalë”, thuhet në aktakuzë.
Në deklaratën e tij, biznesmeni Murqaj kishte treguar se madje kjo nuk ishte hera e parë. Duke rrëfyer para Prokurorisë për këtë rastin ai kishte treguar se nga Hoxha Enes Goga u pengua edhe më herët.
“…ashtu që pasi janë pajisur me pëlqim nga KEDS dhe njëkohësisht kanë përgatitur dokumentacionin e nevojshëm, kanë filluar me punë me pozicionin sipas projektit apo udhëzimeve të KEDS, për tu kyçur në trafo në kompleksin banesor “J…” ku aty më pas kanë hasur në parregullsi, ashtu që janë penguar për të tretën herë radhazi nga hoxha Enes Goga, në kryerjen e këtyre punimeve, për çka rastin e ka lajmëruar në st. policor në Pejë”, thuhet në aktakuzën që ishte ngritur kundër Kryeimamit Goga.
Në aktakuzë është përshkruar edhe deklarimi i Gogës për këtë rast, por Prokuroria në Pejë i kishte thënë gjykatës që ta injoronte këtë deklaratë.
“Ndërsa sa i përket deklaratës së të pandehurit Enes Gosa e dhënë me dt 29.09.2020 në Stacionin Policor në Pejë, i cili në mbrojtjen e tij e lidhur me këtë çështje penale e mohon faktin se është kryes i veprës penale e cila i vihet në barrë duke theksuar se “kompania “Ndërtimtari” nuk i’u ka kërkuar leje e as nuk ka marr pëlqimin nga banoret për kyçje dhe hapje të kanalit” dhe se “ka paraqitur pëlqimin vetëm për kyçje në trafo”, nga Gjykata kërkojë që këtë deklaratë mos ta merr për bazë ngase e njëjta është e drejtuar në ikjen e përgjegjësisë juridiko-penale, ngase si e tillë është e pa themeltë dhe nuk prodhon efekte juridike, për faktin se i dëmtuari Driton Nurqaj për kyçjen në trafo ka marr pëlqimin e sipërshënuar“, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria ka arsyetuar në aktakuzë edhe pse Enes Goga, sipas tyre me dashje e ka kryer këtë vepër penale.
“Në rastin konkret i pandehuri Enes Goga ka të kryer Fakultetin Juridik të konfesionit Islam, andaj duke pas këtë përgatitje shkollore, i njëjti nuk mund të trajtohet si “qytetar laik”, dhe si i tillë nuk mund të mbështetet në lajthimin në fakt të pa mënjanuar, respektivisht se nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij e përmes të cilave e ka ndaluar punën e firmës “Ndërtimari” SHPK në Pejë!”, thuhet në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, Kryeimami Enes Goga ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se nuk ka pas asnjë pengesë ligjore e as njerëzore që nëse ka menduar se i takon kjo e drejtë, së bashku me banoret e tjerë të kompleksit banesor “J….” të parashtronin Padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dhe të kërkonin kështu shqiptimin e masës së përkohshme “Ndalimi i punimeve”.
“…mirëpo i njëjti nuk ka vepruar në asnjë moment në këtë mënyrë, gjë që nga kjo veprimtari konsiston fakti se i njëjti ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se me veprimin e tij do ta kryej një vepër të dëmshme kryerjen e të cilës edhe e ka dëshiruar, andaj duke vepruar me dashje, përmbush edhe lidhjen kauzale apo shkakësore në mes të veprimit dhe pasojës së shkaktuar nga ana e tij”, thuhet në aktakuzë.
Kjo aktakuzë nuk u bë proces gjyqësor i rregullt, pasi që më 6 nëntor 2023 kur u mbajt seanca e parë, Enes Goga deklaroi që pranon që të hyj në marrëveshje me biznesmenin e ndërtimeve, Driton Murqaj.
“Meqenëse vepra penale për te cilin akuzohet i pandehuri parashihet dënimi deri në një vit dhe plotësohen kushtet qe kjo çështje te zgjidhet me ndërmjetësim atëherë unë si prokurore pajtohem me propozimin e palëve qe çështje te zgjidhet me anë të procedurës se ndërmjetësimit”, u tha nga Prokurori në këtë seancë, procesverbalin e së cilës e ka Insajderi.
Insajderi e ka pyetur Enes Gogën për këtë aktakuzë, dhe si përgjigje ai e ka dërguar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, ku bëhet me dije se pas marrëveshjes mes palëve, hedhet poshtë aktakuza.
Por, çka u morën vesh Kryeimami Enes Goga, i akuzuar për veprën penale “Vetëgjyqësi” dhe i dëmtuari në këtë rast, biznesmeni Driton Murqaj?
Insajderi ka siguruar edhe transkriptim e seancës ku u morën vesh që të shkonin në procedurë marrëveshjeje e edhe vet marrëveshjen.
Në procesverbal bëhet me dije se ishte vet Gjykata që i njoftoi palët se kjo çështje penale mund te zgjidhet me procedure alternative përkatësisht me procedure te ndërmjetësimit, andaj pasi që gjykata i njoftoj palët për një gjë te tille i pandehuri Enes Goga i propozon gjykatës qe kjo çështje te zgjidhet me procedure alternative.
Edhe biznesmeni Driton Nurqaj kishte deklaruar që pajtohet që kjo lëndë te zgjidhet me procedurën e ndërmjetësit.
Po atë ditë, tek ndërmjetësuesi Zymer Metaj, Kryeimami Goga e Biznesmeni Murqaj nënshkruan marrëveshjen e ndërmjetësimit.
Në këtë dokument edhe një herë përmendet që vepra penale është “Vetëgjyqësi” nga neni 410 i Kodit Penal, që dënohet deri në 6 muaj burg së paku, dhe tutje bëhet me dije deklarata e shkurtër e Enes Gogës që është shënuar në marrëveshje si pala “B”.
“Pala “B” (Enes Goga) shpreh keqardhje për rastin e ndodhur gjithashtu i kërkon falje palës “A” (Driton Murqaj)”, thuhet në marrëveshje dhe bëhet me dije se biznesmeni ia kishte pranuar kërkim-faljen dhe nuk i kërkoi kompensim.
Disa ditë më vonë, duke i bazuar në këtë marrëveshje ku për veprën penale, sipas aktakuzës, të “Vetëgjyqësisë”, Kryeimami Enes Goga i kërkoi falje Biznesmenit Murqaj, Gjykata Themelore e Pejës vendos që ta pranoi marrëveshjen, e ta hedh poshtë aktakuzën.