“Me evlad kam me t’i kallë”: Kush po kërcënon në emër të Eroll Muratit?

“Me evlad kam me t’i kallë”: Kush po kërcënon në emër të Eroll Muratit?

“Krejt gjallë çka keni kam me ju kallë”. Se do t’u vihet flaka atyre dhe familjeve të tyre, u kërcënuan dy autoret e emisionit Kiks Kosova, gazetaret Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli.

Ky kërcënim erdhi pak orë pas transmetimit të hulumtimit, i cili zbardhi mashtrimet me pasaporta të falsifikuara sllovene që këngëtari Eroll Murati ua kishte bërë qytetarëve.

Ai ua kishte marrë atyre nga 5 mijë deri në 10 mijë euro për pasaporta të Sllovenisë, të cilat nuk i panë kurrë.

Ky hulumtim zbuloi po ashtu se këngëtari nga Gjilani u përfshi edhe në fajde dhe në mashtrim me shitblerje të automjeteve.

Pak orë pas përfundimit të emisionit, Thaçi-Mehmeti dhe Gjikolli pranuan në adresat e tyre mesazhe nga një llogari me emrin Bekim Hajdari, i cili i kërcënoi se do ua “vërë flakën” atyre dhe familjeve të tyre.

Ani pse me llogari të rreme, pa asnjë fotografi, mënyra e shkrimit vërteton se prapa këtyre kërcënimeve qëndron vetë Eroll Murati.

Kjo vërehet qartazi nëse krahasohen mesazhet dhe postimi që bëri ai në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, pak minuta pas transmetimit të emisionit.

Përveç fjalëve si shantazh, që është shkruar me shkronjën “zh” në të dyja rastet, as në postim e as në mesazhe nuk është vendosur asnjë shenjë e pikësimit, mënyrë shkrimi e cila vërehet në të gjitha postimet e Muratit në Facebook.

Për kërcënimet që morën dy autoret e emisionit Kiks, e denoncuan rastin në polici.

Tashmë Policia e Kosovës ka nisur hetimet. Nga Stacioni i Jugut në Prishtinë, lënda ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda, departament ky i cili merret me rastet që fokus kanë ndjekjen e dhunës ndaj gazetarëve.

Nga ky dikaster është bërë e ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë kërkesë në Prokurori në mënyrë që t’u ofrohet leje për kontakt me rrjetin social Facebook lidhur me identifikimin e personit mbrapa atij profili, i cili më pas ishte mbyllur.

Lidhur me këtë rast pati reagim edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK-ja i vlerësoi si tejet shqetësuese kërcënimet e tilla ndaj gazetarëve, duke apeluar Policinë që të trajtojë rastin me prioritet.

Përveç AGK-së, lidhur me rastin reagoi edhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, “Safe Journalists”.

Udhëheqësi i “Safe Journalists”, Dragan Sekulovski, e ka cilësuar rastin si sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj gazetareve, por edhe mbi thelbin e lirisë së shtypit dhe demokracisë.

Krahas dënimit të sulmit dhe shprehjes së shqetësimit, autoret e Kiksit i kontaktoi edhe përfaqësuesi për Evropë i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju-Jork, Attila Mong.

Mong shprehu gatishmërinë për çfarëdolloj ndihme, madje edhe zhvendosje emergjente.

Se kërcënimet deri te dhuna fizike e verbale ndaj gazetarëve po shtohen dhe se terreni i të bërit gazetari sa po shkon e po bëhet më i vështirë, kjo tashmë nuk ka fare dyshim.

Organizatat që monitorojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në vend, rajon dhe kudo në botë raportojnë vazhdimisht se gjatë viteve të fundit klima e sigurisë së gazetarëve është përkeqësuar. Sipas po këtyre raporteve, gazetarët kanë qenë shënjestër e sulmeve fizike, verbale dhe intimiduese nga forcat e rendit, bota e politikës, biznesit dhe krimit të organizuar.

Related Articles