Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj për të dënuar me burgim të përjetshëm ndaj të dyshuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Përmes një njoftimi, RrGK, e ka përshëndetur këtë vendim teksa ka njoftuar se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme lidhur me këtë rast që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar.
“RrGK, duke përfaqësuar 158 organizata anëtare nga e gjithë Kosova, ka protestuar për të kërkuar drejtësi për këtë rast, si dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje institucioneve që të ketë reagim adekuat- kjo pasiqë fillimisht Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar të akuzuarin Pajazitaj, në mars të vitit 2018. Duke qenë dëshmitarë se kohën e fundit janë bërë publike një numër tejet shqetësues i rasteve të dhunës fizike dhe seksuale ndaj grave, vendime të tilla, si ky sot, sjellin një fije shprese se dhuna dhe vrasjet e grave dënohen, pa kompromis e pa asnjë arsyetim të vetëm”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Po ashtu, RrGK bëri të ditur se bazuar në raportin e fundit hulumtues “Nga Ligjet në Vepra”, është vënë në pah se dënimet për ushtruesit e dhunës me bazë gjinore, janë të ulëta se ka prirje të “fajësimit të viktimës”.
“Kujtojmë se raporti ynë i fundit hulumtues “Nga Ligjet në Vepra”, ndër të tjerash, ka vënë në pah edhe një herë se dënimet për ushtruesit e dhunës me bazë gjinore janë të ulëta, se ka prirje të “fajësimit të viktimës”, si dhe zyrtarët policor më shpesh e dërgojnë viktimën në strehimore sesa që fillojnë procedurat ndëshkimore ndaj ushtruesit të dhunës.
RrGK zotohet se do të vazhdojë përpjekjen tashmë disa dekadëshe të monitorimit të reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore, duke u përpjekur për parandalimin e dhunës ndaj grave, si dhe duke përmirësuar mbështetjen institucionale dhe publike për personat të cilët kanë përjetuar dhunë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e RrGK-së.