Rritet në 24 numri i viktimave nga sulmi masiv rus ndaj Ukrainës

Rritet në 24 numri i viktimave nga sulmi masiv rus ndaj Ukrainës

Numri i viktimave nga sulmi i madh rus ndaj Ukrainës është rritur në 24 persona. Breshëria e dronëve dhe raketave, që kryesisht goditi Kievin, u cilësua si një nga sulmet më të mëdha të Rusisë në katër vitet e fundit. Shumë liderë të Bashkimit Evropian shprehën mbështetje për Ukrainën, shkruan Euronews.

Shërbimet emergjente ukrainase njoftuan të premten se dhjetëra persona të tjerë janë plagosur.

Sulmi, i cili kishte në shënjestër kryesisht kryeqytetin Kiev, nisi si një sulm i rrallë gjatë ditës të mërkurën dhe vazhdoi deri të enjten.

Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia kishte lëshuar 675 dronë sulmues dhe 56 raketa, kryesisht drejt Kievit, duke shtuar se njësitë e mbrojtjes ajrore rrëzuan 652 dronë dhe 41 raketa.

Sulmi goditi shtëpi, ndërtesa banimi dhe infrastrukturë tjetër civile. Në lagjen Darnytsia të Kievit, ekipet e shpëtimit kërkuan nën pllakat e betonit për të ndihmuar njerëzit, pasi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe u shemb, duke shkatërruar të gjitha 18 banesat e saj.

Shefi i Administratës Ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, raportoi se nëntë persona u vranë, përfshirë një vajzë 12-vjeçare. Rreth 20 persona besohet se janë ende të zhdukur.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, e shpalli të premten ditë zie për viktimat. Flamujt do të ulen në gjysmë shtize dhe ngjarjet argëtuese do të ndalohen.

Nën sulm rus u vunë edhe rajonet jugore të Odesës dhe Khersonit, si dhe rajoni lindor i Kharkivit. Disa liderë të Bashkimit Evropian dënuan sulmin dhe shprehën mbështetje për Ukrainën.

Disa liderë të Bashkimit Evropian dënuan sulmin dhe shprehën mbështetje për Ukrainën. “Një tjetër natë vdekjeje dhe shkatërrimi. Dhe një shënjestrim i pamëshirshëm i civilëve”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në X.

“Aderisa Rusia po tallet hapur me përpjekjet diplomatike, ne po vazhdojmë ta forcojmë Ukrainën. Po finalizojmë një paketë prej 6 miliardë eurosh për mbështetje me dronë”, shtoi ajo.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se sulmi rus “e nxori në pah gjithë hipokrizinë me të cilën Rusia negocioi armëpushimin e brishtë të ditëve të fundit”.

“Këto sulme, ndër më të rëndat ndaj Ukrainës prej kohësh, dërgojnë një mesazh të qartë: Moska po zgjedh përshkallëzimin në vend të negociatave”, shkroi kancelari gjerman Friedrich Merz në X.

Related Articles