Rritet numri i shtatzënave të infektuara me COVID, rekomandohet që të vaksinohen

Rritet numri i shtatzënave të infektuara me COVID, rekomandohet që të vaksinohen

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli, ka bërë të ditur se është rritur numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID, ndërsa theksoi se tashmë rekomandohet që edhe gratë shtatzëna të vaksinohen.

Ismajli ka thënë se deri të martën në mesditë 25 gra shtatzëna janë së shtrira në repartin për COVID në Klinikën e Gjinekologjisë, teksa 10 nga to po trajtohen me oksigjeno-terapi, e dy janë në gjendje më të rëndë.

“Kemi bërë disa herë apel që shtatzënat rekomandohet të vaksinohen, duke pasur parasysh që komplikimet janë shumë më të mëdha nga kjo sëmundje. Të gjitha shtatzënat përveç mbajtjes së distancës e masave tjera, e vetmja masë parandaluese në përhapjen e kësaj sëmundje është vaksinimi. Prandaj, unë rekomandoj që të gjitha shtatzënat të vaksinohen”, tha Ismaili.

Ndryshe, javën e fundit është rritur dukshëm numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Gjinekologjike e Obstetrike në QKUK dhe asnjëra nga to nuk është vaksinuar kundër COVID.

“Nga këto 25 shtatzëna 10 janë në oksigjeno-terapi, ndërkaq dy të tjera janë pak më të prekura. Jemi në konsultim me pulmologun, anesteziologun, infektologun, kështu që janë në monitorim permanent nga ana e profesionistëve”, tha Ismaili për Telegrafin.

Ai bëri të ditur që asnjëra nga shtatzënat që janë të infektuara me COVID-19, të shtrira në Klinikën që ai drejton, nuk ka marrë asnjërën nga dozat e vaksinës anti-COVID. 

Related Articles