Rritet numri i të prekurve me diabet në Kosovë

Rritet numri i të prekurve me diabet në Kosovë

Numri i të prekurve me sëmundjen e diabetit në Kosovë ka shënuar rritje këtë vit, krahasuar me vitin paraprak.

Kështu thotë për KP, kryetari i Shoqatës së Endokrinologëve dhe Diabetologëve, Bardhyl Gashi, në Ditën Botërore të Diabetit. Endokrinologu tregon se moshat më të prekura me diabet janë ato rreth 30 deri në 35 vjeç, derisa potencon se kjo sëmundje nuk zgjedh gjini. Ai shton se ndër shkaktarët kryesor të shfaqjes së diabetit konsiderohen të jenë mungesa e aktivitetit fizik, mosushqyerja adekuate, duke përfshirë edhe trashëgiminë familjare të sëmundjes.

“Po në kohën e fundit kemi tendeca të rritjes me diabet, edhe pse në Kosovë dominon më tepër mosha e re. Sa i përket përqindjes së diabetit është më pak se në vendet e tjera, ku janë të moshës më të vjetra. Por, tendeca ka, shkon nga rritja e diabetit, zakonisht të Tipit 2… Moshat të cilat janë më tepër të rrezikuara prej diabetit janë ato mbi moshat 30 vjeçare… Nuk zgjedh as gjininë, ose gjininë mashkullore ose gjinia femërore, po ashtu janë të prekur…”, potecon Gashi.

Në intervistën për KosovaPress, Bardhyl Gashi thekson se pacientët e prekur me diabet po gëzojnë disa beneficione në Kosovë, derisa përmendi marrjen e subvencioneve. Ai shton se kur vjen puna deri tek shkaktimi i invaliditetit nga kjo sëmundje, kërkesa për të shkuar në pension invalidor, është më e madhe.

Sa i përket furnizimit me insulinë për të prekurit me diabet, Gashi ka thotë se kohëve të fundit nuk ka marrë ndonjë ankesë së kanë pasur problem me sigurimin e tyre nga ana e pacientëve.

Ndryshe, diabeti është një sëmundje kronike metabolike e karakterizuar nga nivele të larta të glukozës në gjak, e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave. Më i zakonshmi është diabeti i tipit 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet, shumica jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe 1.5 milionë vdekje i atribuohen drejtpërdrejt diabetit çdo vit.

Si numri i rasteve ashtu edhe prevalenca e diabetit janë rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit. Përndryshe, më  14 nëntor shënohet Dita Botërore e Diabetit.

Related Articles