Deri në 30% është paralajmëruar shtrenjtimi i energjisë elektrike nga muaji prill i vitit të ardhshëm.
Krejt kjo ngase Evropa, tash e sa javë, është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.
Qytetarët shprehen të shqetësuar me këto paralajmërime, duke pohuar se çmimet edhe ashtu janë të papërballueshme.
Bislim Ademi, tha se rritja e çmimeve çdo ditë e më shumë po e vështirëson jetën e tyre ngase populli po përballet me vështirësi financiare në vazhdimësi.
“Kjo nuk është mirë hiç po çka me i bë, nuk pajtohemi hiç po munden me na i rrit sa të duan”.
Përderisa Sheremet Fushtica tha nëse rritet çmimi i faturave të energjisë, atëherë duhet të protestohet.
“Së pari këta të mëdhenjtë që i kemi këtu, çdo parti që ka shkuar veç për veti ka punuar. Këta munden me i ndal këto rritje por s’po duan vet”.
Kosovare Berisha, thotë se nëse rriten rrogat mund të ketë edhe rritje të çmimeve të artikujve, pa përjashtuar edhe rrymën.
Edhe Fata Mehmeti thotë se për fat të keq rrogat janë të dobëta kurse energjia elektrike është tepër e shtrenjtë.
“Inshalla Qeveria merr diçka, ndonjë ofertë më të lirë e kanë pak kujdes për këtë popull”.
Qytetarët e Kosovës aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike, për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, në Serbi një kilovat orë kushton rreth 8 centë, në Maqedoni të Veriut po ashtu rreth 8 centë, në Bosnje e Hercegovinë rreth 9 centë, në Shqipëri rreth 9.5 centë dhe në Mal të Zi më së shtrenjti: rreth 10 centë. Gazeta “Enigma”.