Zyrtarja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka kritikuar statusin e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj.
“Ai është kryeministër dhe po flet me tone vajtuese për këtë rast. Më fal po nuk mund të reagosh njëjtë si në opozitë, si tash që e ke të gjithë pushtetin për humbjen e jetës së një gruaje”, tha ajo në “Debat Plus”.
Rrusta thotë se është problematike nëse Kurti vazhdon të ketë tonin e njëjtë opozitar e nuk jep ndonjë afat se kur do të merren veprime për këtë çështje.
“Pas një reagimi të tillë gratë aspak nuk do të ndihen të sigurta. Për mua ky ton është skandaloz. Vrasja e grave nuk është e turpshme por është e papranueshme”, ka deklaruar më tej zyrtarja e PSD-së.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur, andaj duhet angazhim maksimal i institucioneve ndaj këtyre dukurive.