Gazetarja e RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi, ka njoftuar se menaxhmenti në RTK e ka përjashtuar nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.
Ky vendim vjen disa ditë pas intervistës së Foniqit me deputeten e LVV-së, Fitore Pacollin, të cilën e pyeti disa herë rreth dyshimeve për korrupsion lidhur me grantet në Ministrinë e Bujqësisë.
Foniqi e quajti këtë përjashtimin arbitrar dhe censurë alarmante në RTK.
“Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje”, shkroi gazetarja.
“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”.
“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional”, u shpreh më tej Foniqi.
Gazetarja tha se stafi në RTK “në vazhdimësi është përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike”.
“Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur”.
“Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik. Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend”.
“Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale”, thuhet në fund të reagimit.
Ky reagim, përveç Blerta Foniqi Kabashi, është shkruar edhe nga emrat më poshtë:
Meneta Zekaj Nushi
Jehona Zhitia
Edona Musa
Arton Mulliqi
Valon Bajrami