RTK-ja ia ka borxh 86 mijë euro kompanisë “TV Diaspora”

RTK-ja ia ka borxh 86 mijë euro kompanisë “TV Diaspora”

Në Komisionin për Buxhet, Pune dhe Trasnfere është shqyrtuar raporti i punës së RTK-së për periudhën tetor-dhjetor për vitin 2021 dhe programi i shpenzimeve për periudhën janar-mars për vitin 2022.

Në lidhje me këtë, kryesuesi i bordit të RTK, Besnik Boletini tha se gjatë kësaj kohe janë shpenzuar mbi tre milionë euro.

Menaxhmenti i ri i RTK-së diskutoi edhe për mijëra euro që televizioni publik ia ka paguar dhe do të vazhdojë t’ia paguajë një kompanie të quajtur “TV Diaspora”.

Kjo kompani u tha se e ka fituar lëndën në gjykatë dhe se menaxhmenti i mëhershëm ka arritur marrëveshje që borxhin ta paguajë me këste.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se nuk ka kontratë të nënshkruar për këtë borxh dhe se nuk ka bazë ligjore që televizioni të paguajë për diçka për të cilën nuk ekziston kontrata.

“Sa i përket borxhit ndaj TV Diasporës, kam kërkuar një lloj sqarimi shtesë. Duket se nuk ka pasë asnjëherë kontratë me këtë kompani, kështu që ne do ta shikojmë sërish sepse duket e palogjikshme që RTK-ja, derisa përmbaruesi të hyj në RTK të marrë fonde për një kompani e cila nuk ka kontratë të nënshkruar”.

“Do të thotë, do të duhet ta rishikojmë edhe njëherë mundësinë se si të kthehemi në proces gjyqësor sepse duket e padrejtë dhe e palogjikshme, po ashtu e pabazuar në ligj që ne të paguajmë për diçka që nuk ka firmë të nënshkruar nga askush”, tha Ahmetxhekaj. /Gazeta Enigma/.

Related Articles