Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ka përjashtuar Komitetin Olimpik Rus për përfshirjen e organizatave sportive nga territoret e pushtuara nga Rusia të Ukrainës.
Zyrtarët e KON-it thanë se atop grupet shkelin Kartën Olimpike sepse shkelin integritetin territorial të Komitetit Olimpik Kombëtar të Ukrainës.
“Vendimi i njëanshëm i marrë nga Komiteti Olimpik Rus më 5 tetor 2023 për të përfshirë, si anëtarë të tij, organizatat sportive rajonale që janë nën autoritetin e Komitetit Olimpik Kombëtar (KOK) të Ukrainës (domethënë Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia) përbën shkelje të Kartës Olimpike sepse shkel integritetin territorial të KOK-ut të Ukrainës, siç njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) në përputhje me Kartën Olimpike”, tha Bordi Ekzekutiv i KON-it në një deklaratë të enjten.
Sipas deklaratës, “Komiteti Olimpik Rus nuk ka më të drejtë të funksionojë si Komitet Olimpik Kombëtar, siç përcaktohet në Kartën Olimpike, dhe nuk mund të marrë asnjë financim nga Lëvizja Olimpike”.
Komiteti Olimpik përmendi mundësinë e pjesëmarrjes së atletëve rusë si individë.
“KON-i rezervon të drejtën të vendosë për pjesëmarrjen e atletëve individualë neutralë me pasaportë ruse në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026 në kohën e duhur”, tha Komiteti Ekzekutiv i KON-it, përcjellë Klan Kosova.