Kosova zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Keshill të Evropës, derisa kryediplomatja Donika Gërvalla e ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin, ku njoftoi se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit, derisa tha se është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut, raporton GazetaEnigma.
Rreth kësaj çështje GazetaEnigma, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare Durajet Imerin, i cili tha se para se të flasim për gjasat ose kohëzgjatjen e procesit të anëtarësimit duhet të flasim për rëndësin që ka anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës.
“Së pari duhet të flasim për rëndësin që ka anëtarësimi i Kosovës, në KE, se sa t’i kushtojmë rëndësi kohëzgjatjes së procesit të anëtarësimit. Nuk duhet të shikohet nga prizmi kohor, sepse prizmi kohor është procedurë standarte që duhet të kalohen”, tha Imeri.
Imeri tha se Kosova duhet të pres mbledhjen e Asamblesë së përgjithshme, e cila zhvillohet një herë në vit.
“Kosova duhet të presë deri të mblidhet Asambleja e përgjithshme, e cila zhvillohet së paku një herë në vit, ku pas asamblesë është mbledhja e Këshillit të Ministarve”, u shpreh Imeri.
Sipas tij gjatë kësaj kohe Kosova duhet të loboj tek shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që janë shtete shumicë në Evropë.
“Kosova gjatë kësaj kohe duhet të loboj tek shtetet të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, pasi që janë shumicë në Evropë, pra Kosovës i duhen vetëm votat e shteteve që e njohin pavarësinë e saj, nga 47 shtete anëtare në KE 2/3 duhet të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës”, tha Imeri.
Ndër të tjera Imeri shtoi se përgjatë kësaj periudhe Kosova duhet të ketë kujdes sepse Serbia mund të nis një fushatë të egër.
“Kosova në këtë periudhë duhet të ketë kujdes nga Serbia, pasi që mund të nis një fushatë të egër duke u sill në marrëveshjen e Uashingtonit, marrëveshje kjo ku Kosova dhe Serbia, kanë marr zotimin se Kosova, nuk do të aplikojë për një vit në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare ku në ndërkohë Serbia ka thënë se nuk do të ndërmarrë fushata për ç’njohjen e pavarësisë së Kosovës”, theksoi Imeri.
Imeri shtoi se në këtë rast Serbia mund ta përdorë diplomacin për t’i ftuar shtetet që mos e votojnë Kosovën, për aq kohë sa ato kanë një kontest të hapaur me Serbinë.
“Serbia do të përdorë diplomacin duke i ftuar shtetet që të mos e votojnë Kosovën, për aq kohë sa ato kanë një kontest të hapur me Serbinë, kjo do të jetë sfida që do ta ketë Kosova, pasi që Serbia do të fillojë një ofanzivë të re diplomatike, por pavarësisht kësaj Kosova duhet t’i kryej punët e veta, pra të loboj duke kërkuar nga shtetet që ta votojnë anëtarësimin e saj në KE”, përfundoi Imeri.
Ndërkohë profesori universitar Besfort Rrecaj, tha se me anëtarësimin në Këshilli të Evropës, më së shumti përfitojnë qytetarët e Kosovës, që mund të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Të qenit anëtar i Këshillit të Evropës, nënkupton që Kosova është pjesë e Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo i jep mundësi qytetarëve që eventualisht ndodhen në procedura gjyqësore në Kosovë dhe nuk janë të kënaqur me vendimet përfundimtare të organeve gjyqësore në Kosovë, që t’i adresohen edhe gjykatës, me qëllim të rivendosjes së të drejtës”, tha Rrecaj.
Kurse sipas ish-kryediplomatit Skender Hyseni, anëtarësimi në KE ka rëndësi të madhe edhe për pavarësinë e Kosovës.
“Aplikimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është shumë i rëndësishëm dhe i mirëseardhur. Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë të shumta dhe kontribuojnë shumë në pavarësinë e saj që të jetë e barabartë me shtetet tjera anëtare”, tha Skender Hyseni për Gazetën “Enigma”.
Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, e ka komentuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila deklaroi se është “shkelje e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, në radhë të parë Marrëveshjes së Uashingtonit”.
“Kjo lëvizje e tyre për anëtarësim në Këshill të Evropës është kulmi i cinizmit”, tha Bërnabiq.
Kurse anëtarësimin e Kosovës në KE e ka komentuar edhe njohësi i fushës së të drejtave të njeriut, Andrew Forde, i cili tha se do të jetë tema kyçe në diskutimin e Këshillit Ministror, që do të mblidhet javën e ardhshme në Torino të Italisë.
“Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Do të jetë pikë kryesore e diskutimit (joformal) në ministerialin e Torinos javën e ardhshme. A do të jetë ky një proces i shkurtë i pranimit në bazë të rrethanave, apo fillim i një procesi të stërzgjatur dhe përçarës? Koha do ta tregojë”, u shpreh Forde.
Gjithashtu tregoi edhe për përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në Këshill të Europës.
“Ligjërisht, tri gjëra të ndërlidhura ndodhin me anëtarësimin. Një shtet bëhet palë e Statutit të Këshillit të Europës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës. Në Kosovë, korniza ligjore tashmë është kryesisht e përshtatshme për këtë qëllim”, shtoi Forde. / GazetaEnigma