Drejtori i Kombëtares se Kosovës, Muharrem Sahiti në një intervistë për Gazetën Enigma ka folur për suksesin e Ballkanit në Ligën e Konferencës dhe për favoritët në Albi Superliga për sezonin 2022/2023.
Përveç kësaj, Sahiti ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës në futboll, për prurjet e reja te “Dardanët” për ndeshjet e ardhshme. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen t’i rikthehet zejës së trajnerit.
Për Sahitin, suksesi i Ballkanit nuk ka qenë i rastësishëm në garat evropiane, duke shtuar se ‘’për mua nuk ka qen befasi, për faktin se Ballkani ka treguar organizim të mirë në aspektin sportiv’’.
Ish-ndihmësi i Bernard Challandes, ka theksuar se transferimi i lojtarëve nga Superliga është një sinjal shumë i mirë për klube.
Ish-trajneri i SC Gjilanit, ka folur edhe për favoritet e Albi Supeligës, duke i përmendur pesë skuadra që do të luftojnë për kreun e tabelës.
Kosova në shtator do t’i luajë dy ndeshjet e fundit në kuadër të këtij edicioni në Ligën e Kombeve kundër Irlandës së Veriut si mysafire dhe kundër Qipros në “Fadil Vokrri”, por tashmë gjasat për ta fituar grupin janë shuar, pasi Greqia e ka siguruar vendin e parë dhe promovimin në Ligën B, si dhe kualifikimin në “play-off” për Euro 2024.
Sahiti, thekson se nuk janë të kënaqur me rezultatet e deritashme, por thotë se do të ketë prurje të reja.
‘’Sa i përket lojtarëve të ri mbetet të shohim listën nga selektori i cili vendos për lojtar’’, tha Sahiti.
Ai ka thënë se është e çuditshme që stadiumi i Gjilanit ende nuk është rinovuar.
‘’Derbi më i madh të mos ketë stadium. E çuditshme. Qeveria dhe komunat janë përgjegjës për ndërtimin e stadiumeve’’.
Kjo është intervista e plotë me Muharrem Sahitit e dhënë për Gazetën Enigma:
Gazeta Enigma: Një skuadër nga Kosova, FC Ballkani arriti të futet në grupe të Ligës së Konferencës, si e keni parë këtë rezultat a ka qenë befasi për ju?
Kualifikimi në grupe për Ballkanin dhe për futbollin e Kosovës është historike, ju kemi gëzuar gjithë këtij suksesi. Për mua nuk ka qen befasi, për faktin se Ballkani ka treguar organizim të mirë në aspektin sportiv duke angazhuar njerëz të profesionit në klub, me një staf shumë profesional. Transferimi i lojtarëve nga Superliga është një sinjal shumë i mirë për klube, uroj të kemi edhe ma shumë transferime. Mendoj që ka ndryshuar në shumë drejtime, tash po luhet me intensitet të lart, kemi vrapime më të shpejta, distanca e vrapimeve totale është më e lart, edhe në aspektin taktik kemi ndryshime pozitive në krahasim me vitet e kaluara.
Gazeta Enigma: Drita e Ballkani prapë llogariten si pretendent për titull, si e sheh garën sivjet?
Sigurisht që Ballkani edhe Drita janë favorit, po këtu me gjasa të njëjta është edhe Gjilani, po ashtu edhe Llapi dhe Prishtine janë në garë për titull, gjithmonë po them në bazë të kualitetit që kanë në raport me skuadrat tjera. Është herët të deklarojmë për klubet që janë të rrezikuara, është fillimi i kampionatit
Gazeta Enigma: Kosova në shtator do t’i luajë dy ndeshjet e fundit në kuadër të këtij edicioni në Ligen e Kombeve, por gjasa për ta fituar grupin s’ka më. A ka mundur Kosova të bëjë më shumë?
Në shtator i kemi dy ndeshje të fundit, edhe pse gjithçka është e kryer për vendin e parë në do të përgatitemi për të marr maksimumin e pikëve në këto dy ndeshje. Sigurisht që kemi mundur të bëjmë edhe ma shumë, askush nga ne nuk është i kënaqur, kemi pretenduar ma shumë. Nëse përfundojmë në vendin dytë nuk është edhe keq. Sa i përket kontakteve me lojtar te ri ka vazhdimisht. Po për hir të procesit ne nuk mundemi të deklarohemi ngase po ju shkaktojmë probleme lojtarëve me klube dhe me shtetet që përfaqësojnë. Sa i përket lojtarëve të ri mbetet të shohim listën nga selektori i cili vendos për lojtar.
Gazeta Enigma: Sporti i Kosovës vazhdon të ketë probleme me infrastrukturën, sidomos futbolli, stadiumi i Gjilani ka mbetur në gjysmë qe sa kohë, derisa nevojat janë të mëdha të kemi sa më shumë stadiume.
Sigurisht që problemi më i madh në Kosovë është infrastruktura sportive, aq më keq kur shumë stadiume kanë filluar me vite dhe akoma nuk kanë përfunduar siç është edhe rasti i stadiumit të Gjilanit. Është për të ardhur keq kur dy klube me te organizuara në Kosovë, derbi më i madh të mos ketë stadium. E çuditshme. Qeveria dhe komunat janë përgjegjës për ndërtimin e stadiumeve.
Gazeta Enigma: Mund ta shohim në të ardhmen Muharrem Sahitin si trajner në ardhmen?
Asnjëherë nuk përjashtohet mundësia që të punojë si trajner në ndonjë klub. /Gazeta Enigma/