Sallahu: U keqpërdorën rreth 1 milion euro, ekspertët e Mjekësisë Ligjore u kompensuan jashtëligjshëm për 5 vjet

Sallahu: U keqpërdorën rreth 1 milion euro, ekspertët e Mjekësisë Ligjore u kompensuan jashtëligjshëm për 5 vjet

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, gjatë fjalimit në një konferencë për media ka njoftuar se kanë hasur në një shkelje ligjore që arrin shumën deri në 1 milion euro, raporton Gazeta Enigma.

Sallahu tha se bëhet fjalë për një ligj që ishte shfuqizuar, edhe ekspertët mjekoligjor ishin kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial për 5 vite, duke marrë kështu rreth 1 milion euro.

“Deri në ardhjen e Qeverisë Kurti, përfitimet ilegale, duket se kanë qenë të përhapura në nivele të larta. Qysh në fillim të mandatit tonë qeverisës jemi zotuar se do të punojmë pa ndërprerë që qytetarët të ju kthehet besimi në institucione. Në vitin 2016-të, më 6 prill ka hyrë në fuqi, ligji për mjekësi ligjore, atëherë ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin fuqizuar me ligjin paraprak”, tha ai.

Ai gjithashtu tha para gazetarëve se për këto shkelje ligjore kishte pasur informacione edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila sipas tij nuk kishte marrë asnjë veprim

“Në atë kohë i kishin shkruar ish-ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha që e rregullonte punën jashtë orarit, në kuadër të IML-së, ishte propozuar që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit sepse ishte bazuar në ligjet që ishin shfuqizuar. Ky ligj është ende në fuqi dhe po zbatohet njëkohësisht. Pavarësisht që kishte hyrë ligji në fuqi, ligji i ri dhe këshilli prokurorial ia kishte tërhequr vërejtjen ish-ministres Dhurata Hoxha, ajo nuk kishte marrë asnjë veprim”, shtoi ai.

“Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial në vlerë afër 1 milion euro për gjatë 5 viteve të fundit përmes një udhëzimi administrativ. Edhe pas transformimit ligjor, këshilli prokurorial ka vazhduar ndarjen e mjeteve në mënyrë të jashtëligjshme, me udhëzimin që është bazuar në ligjin që është shfuqizuar. Vlera që është kompensuar kundërligjshëm arrin shumën rreth 800 mijë euro”, thotë ai.

Sallahu ka thënë se po merren masa të menjëhershme për të hartuar draftin e ri.

“E kemi denoncuar këtë rast, dhe do të vazhdojmë të jemi të pakompromis. Kemi ndërmarrë masa të menjëhershëm ku kemi hartuar draftin e ri për llogaritjen e tarifave për fushën në mjekësinë ligjore dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjekoligjor në seanca dëgjimore”, shtoi ai.

Related Articles