SBAShK me thirrje ndaj anëtarësisë: Mos nënshkruani ndryshimet e kontratës së punës

SBAShK me thirrje ndaj anëtarësisë: Mos nënshkruani ndryshimet e kontratës së punës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka thënë se kohëve të fundit  po qarkullon një version i ri i kontratës së punës për sektorin e arsimit, për të cilën ka bërë thirrje që të mos nënshkruhet.

Në njoftim thuhet se ky version është kopje e keqe e një versioni të kontratës së punës, “është shumë më i dëmshëm dhe shumë më i keq se sa Kontrata ekzistuese e punës, që e kanë  punëtorët arsimor”.

” Ky version, që po qarkullon,  bie në kundërshtim edhe me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it, nr. 10/2015 për  Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit  Parauniversitar. Ky version i shpërndarë  ka shumë të meta dhe është i dëmshëm për punëtorët e arsimit ngase cenon të drejtat e fituara e po ashtu nuk specifikon normën javore mësimore prej 20 orë dhe nuk është specifikuar as pjesa e orëve të tjera që janë për përgatitje për mësim dhe për veprimtari të tjera arsimore. Versioni i ri ka edhe të meta të tjera  e të cilat jemi të gatshëm t’ua prezantojmë  në takim  Kolegjiumit të Drejtorëve të Arsimit”.

“SBASHK-u i drejtohet  anëtarësisë, që kanë kontrata pune në kohë të pacaktuar,  me apelin që të mos e nënshkruajnë versionin e ri të Kontratës së punës, ngase ata kanë  kontrata të punës në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet gjë një Kontratë e re, e cila në vend që të shtojë ndonjë  të drejtë,  krijon mëdyshje , mjegull  dhe ka tendencë të mohimit të të drejtave  legjitime e të fituara  me kohë”, thuhet në njoftim.

Related Articles