Seanca për dinarin, sonte pritet përballja e parë Kurti-Vuçiq në Këshill të Sigurimit

Seanca për dinarin, sonte pritet përballja e parë Kurti-Vuçiq në Këshill të Sigurimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar mbrëmë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla-Schwarz. Sipas njoftimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri pritet që të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kjo seancë është thirrur nga Serbia për shkak të vendimeve të fundit të Republikës së Kosovës që lidhen me dinarin dhe me mbylljen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Shteti serb në këtë mbledhje do të përfaqësohet nga Aleksander Vuçiq, dhe pritet që sonte në New York për herë të parë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të ketë një përballje Kurti-Vuçiq për punën e dinarit dhe për çështjen e strukturave paralele.

Qëndrimi i aleatëve, SHBA-së, BE-së dhe shteteve anëtare veç e veç ka qenë që vendimi i BQK-së për dinarin të suspendohet menjëherë dhe të kërkohet një zgjidhje në kuadër të dialogut.

Ata kanë shprehur shqetësimet për mënyrën se si është marrë vendimi dhe kanë kërkuar më shumë kohë, në mënyrë që të ketë një informim të serbëve lokalë dhe të mos dëmtohet askush.

Megjithatë Qeveria e Kosovës dhe BQK nuk janë zmbrapsur nga vendimi, duket thënë se në këtë fillim të implementimit të vendimit s’do të ketë gjoba por më shumë informim.

Qëndrimi i Kosovës është që vendimi i BQK-së s’ka të bëjë me dinarin dhe se përmes tij konfirmohet Euro si e vetmja monedhë që lejohet të qarkullojë në vend.

Related Articles